E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mban mend Borën?

Bekim Fehmiu në një film të shkëlqyer për romët, "Mbledhësi i puplave", i Aleksandar Petrovic-it. Vepra që u evokua si modë në dhjetëvjeçarin e shpërbërjes së federatave Jugosllave nga Paskaljevic, Kusturica e të tjerë.


I bukuri Bora është martuar me një grua më të madhe se vetja dhe bie në dashuri me të renë Tisha. Duhet të përballojë edhe një rival, Mirtën. Historia e ciganit Bora (Bekim Fehmiu) tek "Mbledhësi i puplave" - shfaqet sonte në orën 19.00, në kinemanë e


Akademisë "Marubi" - treguar nga regjisori Aleksandar Petrovic, është më shumë se një film, është një rrymë njerëzish, jete, të drejtash, mjerimi, pasioni, kulture, këngësh, veshjesh, thyerjesh të normave që sot po shqetëson Evropën për ta njohur si të ri këtë identitet të lashtë, identitetin rom.


Në një intervistë në kohën e filmit (1967), regjisori Petrovic, një emër notavor në kinemanë e viteve gjashtëdhjetë në ish-Jugosllavi, duke dashur të shprehë rëndësinë që kishte për të motivi dhe rom dhe bërja e "Mbledhësit të puplave", tërheq vëmendjen ndaj kuptimit të fjalëve: rom = njeri dhe gaxhi = i huaj, domethënë të gjithë jo romët janë për romët të tjerë, të huaj.


Ky raport filologjik bartet në mënyrë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ndërmjet lagjeve të endacakëve dhe rrugëve të qytetit. Por qëllimi nuk është ky.


Me "Skuplijaci Perja", Aleksandar Petrovic, vërtet i bën homazh jetës endacake dhe pa kokëçarje të ciganëve, por ai është një kërkim i zjarrtë dhe pasionant brenda për brenda botës së tyre, jo aq të thjesht saç gjykohet, por gjithë ndjesi të kundërta.


Bora dhunon dhe dashuron në mënyrën me gjenuine; jeton në varfëri dhe nga ana tjetër është i dhënë me pasion pas parasë. Ky njeri është metafora e vetë filmit:
gjaku i zi dhe puplat e bardha.


Ecejaket e tregtarit të puplave të patës janë një udhëtim i pandërprerë në ish-Jugosllavinë, kurse ciganët janë melankolia më e përkryer e saj. Liria e tyre nuk tregon tjetër gjë, veç kufijtë e ngushtë të jetës së tyre.


Prandaj, "ciganë të lumtur" është ironi me atë që është shitur si bota moskokëçarëse e njerëzve të lumtur. Në gjuhën angleze, filmi njihet me titullin "I Even Met Happy Gypsies" (Kurrë nuk kam parë ciganë të lumtur), titull që i referohet një vargu të këngës rome "Djelem, djelem".


Kritika e quan një film të bërë në stilin e neorealizmit italian. Elementët janë: ana gërmadhë, e zymtë dhe e zhveshur e jetës në bardhezinë fotografike; njerëz në rrugë, jeta në rrugë e një individi që i përket një komuniteti "anësh rrugës", të spostuar nga vëmendja e politikës së ditës.


Po ashtu, aktorët, shumica janë jo profesionistë. Olivera Vuo aktorja që luan Lenkën, ka qenë një këngëtare e shquar rome dhe e muzikës folk.
Aktori Bekim Fehmiu, atëherë 31-vjeçar, është një nga pak aktorët profesionistë që regjisori ka përdorur.


Ishte një emër i njohur në kinema në atë kohë dhe famë ndërkombëtare do të fitonte me filmat "Odiseja", "Aventurieri", "Rruga" etj., përkrah artistëve si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj.


Përkrah Fehmiut interpretojnë Bata Zivojinovic, Olivera Vuco, Gordana Jovanovic, Mija Aleksic, Rahela Ferari etj. Ngjarjet e "Mbledhësit të puplave" janë vendosur në krahinën e Vojvodinës, në Serbinë e Veriut, ku jetojnë etni të ndryshme: serbë, hungarezë, sllovakë, sllovenë dhe pranë por larg tyre, romët. Peizazhi i zhveshur i Vojvodinës, muzika cigane luajtur me instrumente tradicionalë, gjuha rome përzier me serbishten, e bën këtë film të mrekullueshëm dhe tërheqës.


Muzika është e vetë Aleksandar Petrovic-it, i cili ka shkruar edhe skenarin.
"Mbledhësi i puplave" quhet filmi prej të cilit do të lindnin gjithë filmat e ish-Jugosllavisë me temë jetën cigane dhe së fundi, në dhjetëvjeçarin e shpërbërjes së federatave Jugosllave, pikërisht atij do t'i referoheshin edhe vetë Emir Kusturica për "Koha e ciganëve" dhe Goran Paskaljevic-i për "Ëngjëlli mbrojtës".


Ky ishte suksesi ndërkombëtar për regjisorin Aleksandar Petrovic, që kishte realizuar më përpara filmat "Dy", "Tre", dhe pas tij "Shtegtimet" dhe "Mjeshtri dhe Margarita" (Mikhail Bulgakov).


Petrovic-i, bashkë me Dusan Makavejev përfaqësonin një tendencë, të quajtur Novi Film, në kinemanë e ish-Jugosllavisë në vitet gjashtëdhjetë, me dëshirën për më shumë liri shprehjeje dhe një gjuhë filmike që shkonte përtej normave të kontrollit zyrtar social-komunist.


Në vitin 1967, "Mbledhësi i puplave" fitoi "Palmën e Artë" në Kanë dhe do të nominohej për Çmimin "Oscar" një vit më pas.
Për herë të fundit ai është shfaqur në Tiranë në dhjetor të vitit 2004, në ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, festival i cili i kushtoi një seksion të veçantë temës në kinema "Koha e ciganëve".
Filmi, sonte tek "Marubi", zgjat 94 minuta, shfaqet me subtitra anglisht.

Nis restaurimi i mureve të Kalasë së Durrësit


Fillon restaurimi i mureve të Kalasë antike të qytetit të Durrësit. Skelat e restaurimit janë ngritur tashmë në pjesën hyrëse antike të qytetit të lashtë, në afërsi të Torres Veneciane. Sipas specialistëve, këtu janë aktivizuar një skuadër prej pesë restauratorësh dhe tre punëtorësh ndërtimi, të cilët sapo kanë nisur mbushjen e pjesëve të dëmtuara të mureve të kalasë mesjetare.


Për këtë projekt është dhënë nga qeveria shqiptare një fond prej 7 milionë lekësh, në të cilin është llogaritur restaurimi i gjithë zonës së dëmtuar murale. Restauratorët janë ata që kanë realizuar edhe restaurimin e amfiteatrit të Durrësit, vepër e rëndësishme e shekullit të II të erës sonë. Ata thonë se zona ka mjaft dëmtime, ndaj dhe po punohet me shumë kujdes.


Peço Tuslluku, përgjegjës në terren i grupit të punës, thotë se po punohet që të forcohen bazamentet e mureve, duke bërë kujdes me arkitekturën e mjeshtërve të kohës. Ka hipoteza të ndryshme për fillimin e fortifikimeve të Durrësit.


Fortifikimet që ende sot janë të dukshme, janë ato të periudhës bizantine, të ndërtuara gjatë periudhës së sundimit të perandorit Anastas i Parë dhe perandorit Justinian (nga 490-549 pas Krishtit).


Muret janë ndërtuar me tulla dhe llaç, me perimetër të llogaritur prej 4.400 m2, me lartësi afro 12 m dhe me një seri kullash me teknikë poligonale, të vendosura me largësi rreth 60-65 cm nga njëra-tjetra. Ky sistem mbrojtës fortifikimi ka funksionuar deri në mesjetë, në momentin kur tërmeti katastrofik i vitit 1273 shkatërroi pothuajse gjithçka.

Qëndismat e Miss Durham-it


Edith Durham, në kohën që ka bujtur në shtëpinë e Toptanasve në Tiranë, është marrë edhe me qëndistari. Shefi i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati, demonstroi dje imazhet e katër centrove që ai "ka stabilizuar".


Janë katër centro pambuku të punuar në vegjë, me motive të thjeshta gjeometrike, punë dore të cilat i përkasin koleksionit të trashëgimtarëve të familjes Libohova, familja pronare e shtëpisë së Toptanasve, monument kulture, përbri zonës historike të kryeqytetit.


Janë i vetmi kujtim nga antropologia angleze, Mary Edith Durham (1863-1944). Thuhet se dhoma ku ka qëndruar për pak kohë ajo në shtëpinë e Toptanasve, është e njëjta ku ka bujtur edhe Bajroni.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›