E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat promocionale, rregulla të reja për kompanitë

Kompanitë duhet të licensohen nëse duan të organizojnë lojëra fati për të nxitur shitjet e produkteve

TIRANË- Qeveria vendos rregulla të reja për kompanitë tregtare që organizojnë lojëra fati me qëllim promovimin e produkteve të tyre. Nëse një shoqëri tregtare vendos të ndjekë këtë rrugë për të rritur shitjet apo për të shpërblyer klientët e saj, duhet që medoemos të përshtatet me kushtet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, pasi në të kundërt nuk përfiton autorizimin për organizimin e tyre.


Kështu, sipas VKM-së së miratuar dje, kushti themelor që një kompani duhet të përmbushë për të qenë brenda rregullave, ka të bëjë me çmimin që përfitojnë ata që shpallen fitues, i cili në total asnjëherë nuk mund të jetë më pak se 80 për qind e shumës së mbledhur prej pjesëmarrësve në lojë.


Nësë një kompani zgjedh të organizojë një llotari promocionale me anë të mesazheve, atëherë kjo e fundit duhet që më parë t'i bëjë të ditur pjesëmarrësve në lojë edhe autoriteteve mbikëqyrëse vlerën e SMS-së, i cili nuk mund të kushtojë më shumë se 100 lekë me TVSH. E njëjta gjë vlen edhe nëse loja organizohet nëpërmjet telefonatave, ku sipas VKM-së së miratuar dje, nuk mund të ketë çmim më të lartë se 200 lekë me TVSH.


Autorizimi


Për vetë faktin se organizimi i lojërave promocionale ka një specifikë ndryshe nga lojërat e zakonshme të fatit, për organizimin e tyre është i domosdoshëm një autorizimi i posaçëm nga Ministria e Financave.


Për marrjen e autorizimit, bashkë me dokumentacionin e nevojshëm, kompania tregtare duhet të derdhë, për llogari të saj, një shumë prej 200 mijë lekësh. Kjo shumë është e kthyeshme nëse kërkesa e kompanisë për tu pajisur me autorizim refuzohet nga Ministria e Financave.


Për përftimin e autorizimit, subjekti duhet të paraqesë pranë autoritetit të financave, kërkesë me shkrim ku të bëhet një përshkrim i shkurtër i natyrës së lojës; vërtetim nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit; vërtetim nga tatimet se nuk ka detyrimë të pashlyera; rregulloren dhe një përshkrim të hollësishëm për mënyrën e organizimit të lojës promocionale.


Për sa i përket rregullorës së lojës, Këshilli i Ministrave ka vendosur që krahas të dhënave të tjera ajo të përmbajë detyrimisht, kohëzgjatjen e parashikuar nga organizatori; sasinë dhe mënyrën e shpërblimit të fituesve; vlerën monetare, me dha pa TVSH që duhet të paguajë pjesëmarrësi; shpërblimin e parashikuar për fituesit dhe numrin e parashikuar të pjesëmarrësve në të.


Gjatë shpërndarjes së çmimeve për fituesit, kompania tregtare duhet të bëjë kujdes që në ceremoni të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe drejtoria rajonale tatimore. Në rast të kundërt, kompania humb të drejtën për të organizuar lojëra promocionale për një periudhë tre vjeçare.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›