E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Artemisa e Durrësit”, botohet në frëngjisht

15/07/2009  Përmbledh disa nga rezultatet kryesore të misionit arkeologjik shqiptaro-francez në qytetin bregdetar të Durrësit. Albumi fotografik "Artemisa e Durrësit", një udhërrëfyes, ku përfshihen në mënyrë sintetike figurinat prej balte të pjekur të zbuluara në kodrën e Dautes, të cilat identifikohen me figurën e hyjneshës së gjuetisë, Artemisa, sapo ka dalë në treg. Në album janë paraqitur dhe disa nga prerjet më të rëndësishme të 600 monedhave të zbuluara në të njëjtin sit arkeologjik, që i përkasin shekullit 4-3 para erës sonë. Albumi ka dalë në qarkullim në gjuhën franceze në vigjilje të festës kombëtare të Francës, ndërsa janë duke u përgatitur dhe versionet në gjuhët shqip dhe anglisht. Për përgatitjen e tij ka punuar një ekip specialistësh, drejtuar nga prof. Tartari dhe prof. Artur Muller i universitetit të Lilës (Francë), ku dallon puna e fotografit Gilbert Naessens. Misioni arkeologjik shqiptaro-francez në Durrës ka nisur në vitin 2002 dhe rezultatet paraprake të punës së tij janë nderuar me çmimin francez “Clio” për arkeologjinë. Ky mision do të vazhdojë dhe gjatë periudhës 2009-2011 në një fazë të re, e cila mund të financohet edhe nga BE. Që nga viti 2002 janë studiuar dhe dokumentuar afro 1800 kg materiale të ndryshme, mijëra figurina prej balte të pjekur të Sanktuarit të Artemisës, që ndodhej në një nga kodrat në veriperëndim të qytetit të lashtë dhe është zbuluar afro 40 vjet më parë nga arkeologu Vangjel Toçi. Në fazën e dytë të misionit ka nisur edhe studimi i afro 1 ton materiale arkeologjike të tjera të zbuluara në të njëjtin territor afro 40 vjet më parë nga arkeologët durrsakë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›