E Diel, 1 Nëntor 2026

E mbijetuara e Himarës shtatzënë Vëllai: E përdhunuan në Austri

Të tjera rreth shkrimit Studentja u nis drejt Vjenës në koma Në aksident humbën jetën 13 studentë TIRANE - Florie Peci, studentja e mbijetuar nga tragjedia e Himarës më 21 majin e një viti më parë ku humbën jetën 13 studentë ka mbetur shtatzënë gjatë kohës që ishte në spitalin e Austrisë, ku u kurua për shkak të plagëve të marra nga aksidenti.

Fakti i shtatzënisë së studentes shqiptare vjen i konfirmuar nga burime brenda materniteti të Tiranës “Mbretëresha Geraldine” të cilët bënë të ditur për Shqiptarja.com se Florie Peci gjendet e shtruar që prej datës 25 janar në ambientet e maternitetit dhe se aktualisht është mbi 22 javëshe shtatzënë (5 muajshe e gjysmë). Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë të ditur se më herët, vajza kishte shkuar në maternitetin e Librazhdit ku edhe u konstatua shtatzënia e saj, prej 17-18 javëshe.

Ndërkohë, vëllai i saj, Gazmend Peci ka bërë një kallëzim penal në Prokurori me pretendimin se motra e tij është përdhunuar në periudhën e rehabilitimit në spitalin Gmunderberg Almunster në Austri rreth 20-25 shtatorit 2012.

Gazmend Peci, i cili shoqëroi motrën e tij ndërsa u kurua në Austri në një lidhje telefonike me gazetaren Mira Kazhani ka pranuar për televizionin A1 REPORT! denoncimin e bërë, ndërsa ka shprehur edhe tronditjen e familjes së tij.

Pas tragjedisë së Himarës, Florie Peci u dërgua drejt Austrisë për një kurim më të specializuar pasi ishte në gjendje kome. Ndërkohë më 3 korrik studentja shqiptare doli nga koma, dhe më 11 tetor 2012 u mundësua edhe rikthimi i saj në atdhe.

Akuza e familjes Peci është mjaft e rëndë dhe shkon drejtpërdrejt për autoritetet shëndetësore, ndërsa Prokurorisë i është drejtuar me një letër edhe deputeti socialist Taluant Balla, si deputet i zonës së Librazhdit ku banon familja Peci. Ndërkaq mbetet që organi i akuzës të hetojë mbi akuzën e rëndë, çka do të thotë se hetimet duhen shtrirë deri në Austri, ku ka qenë e shtruar vajza.

Aksidenti i rëndë i Himarës ndodhi më 21 maj, kur autobusi me studentë ra në humnerë dhe humbën jetën 13 të rinj, ndërsa Florie Peci dhe Eriselda Gubere, u plagosën rëndë. Të dyja vajzat disa ditë më vonë u dërguan për kurim të specializuar në Austri.

KALLEZIMI PENAL NE PROKURORI I VELLAIT TE STUDENTES SHQIPTARE
“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur, motra ime në aksidentin e Qafës së Vioshës në Himarë pësoi dëmtime të rënda shëndetësore. Ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qendroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe për shkak të shqetësimeve të shumta specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Konceptimi i shtatzënisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën Gmunderbergut Almunster në Austri , në periudhën e rehabilitimi. Motra ime Florie Peci është përdhunuar në kushtet e spitalit ku ka qenë për kurim. Me motrën timë janë kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej"

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›