E Diel, 1 Nëntor 2026

E mërkura pret bileta të tjera për Botërorin

Tetë shtete në mbarë botën kanë siguruar një vend në Afrikën e Jugut. Priten të zbulojnë emrat e ekipeve të tjera nga Europa

Tetë pjesëmarrës në Botërorin e Afrikës së Jugut kanë prerë tashmë biletat. Në zonën europiane për momentin vetëm Holanda e ka siguruar një vend për ngjarjen më të rëndësishme botërore të futbollit. E mërkura pritet të zbulojë emrat e ekipeve të tjera nga kontinenti i vjetër, që përfaqëson 13 skuadra midis 32 ekipeve nga i gjithë planeti. Në grupin e Amerikës së Jugut, Brazili e siguroi një vend në finalet e Botërorit pas fitores së bujshme 3-1 kundër Argjentinës. Skuadra e Maradonës i duhet të fitojë patjetër me Paraguajin për të mos rënë në vendet 5-6 e të rrezikojë seriozisht pjesëmarrjen në Botëror. Ja si paraqitet situata në nëntë grupet europiane.

Grupi 1
Danimarka, kampione e dikurshme e Europës, mund të kualifikohet direkt nëse fiton me Shqipërinë në Tiranë. Portugalia (10 pikë) do të luajë kundër Hungarisë në Budapest dhe është nën presion të jashtëzakonshëm, pasi i duhet vetëm fitorja për t’u mbetur në lojë, në një kohë që Suedia (12 pikë) ka nj sfidë të lehtë me Maltën e vendit të fundit. Të shtunën, Suedia fitoi 2-1 me Hungarinë. Të mërkurën, Shqipëria (6 pikë) pret Danimarkën (17), Hungaria (13) luan me Portugalinë (10) dhe Malta (1) pret Suedinë (12).

Grupi 2
Zvicra e vendit të parë do të përballet në transfertën e vështirë me Letoninë, me të cilën e ndan vetëm tri pikë dhe synon për herë të parë kualifikimin në një kampionat botëror. Greqia nga ana e saj luan në transfertë kundër Moldavisë së vendit të fundit, çka duket një mision më i lehtë për ish-kampionët e Europës. Të mërkurën Zvicra fitoi 2-0 sfidën direkt me Greqinë, Grichting (83’) dhe Padalino (88’) ishin autorë të golave në derbin e trajnerëve gjermanë: Hitzcfeld-Rehagel. Izraeli humbi 1-0 në shtëpi me Letoninë (gol i Gorks, 14'). Moldavia dhe Luksemburgu u ndanë në barazim pa gola. Renditja: Zvicra (16), Greqia (13), Letonia (13), Izraeli (9), Luksemburgu (5) dhe Moldavia (2).

Grupi 3
Irlanda e Veriut dhe Sllovakia do të përballen të mërkurën në Belfast për t’i dhënë fund dilemës se kush të do të kualifikohet direkt për në Botëror, teksa sllovakët vijnë me avantazhin e dy pikëve dhe në rolin e kryesuesit. Në takimin e parë midis tyre, Sllovakia fitoi 2-1 në Bratislavë. Të shtunën e kaluar Sllovakia barazoi 2-2 me Çekinë: Sestak (60’) dhe Hamsik (73’, 11-m) realizuan për sllovakët, Pudil (68’) dhe Barosh (84’) për çekët. Polonia barazoi 1-1 me Irlandën e Veriut: Hughes (80’) autogol në favor të Polonisë dhe Laferti (38’) shënuan për dy ekipet. Renditja: Sllovakia (16), Irlanda e Veriut (14), Polonia (11), Sllovenia (11), Çekia (9) dhe SAN Marino (0).

Grupi 4
Gjermania ende nuk e ka siguruar biletën e “klasit të parë” për në avionin që të çon direkt në Johansburg. Skuadra e drejtuar nga Johakim Lëv fitoi 2-0 miqësoren me vendin organizator të Botërorit, përpara se të përballet me modestët nga Azerbajxhani. Gjermania kryeson me 19 pikë, një më shumë se Rusia e vendit të dytë, që nga ana e saj do të luajë në transfertë kundër Uellsit të vendit të katërt. Të shtunën e kaluar, Rusia fitoi 3-0 me Lihtenshtejnin: Vasily Berezutsky (17’) dhe një dopjetë nga pika e bardhë e Roman Pavlyuchenko (39', 45'). Finlandia fitoi 2-1 në transfertë me Azerbajxhanin: Elvin Mamedov (48’) për vendasit dhe Markus Heikkinen (75’) e Petri Pasanen (90’) për miqtë. Renditja: Gjermania (19), Rusia (18), Finlanda (13), Uellsi (9), Azerbajxhani (1), Lihteshtejn (1)

Grupi 5
Spanja në grupin 5 thuajse është me një këmbë në finale. Kampionët në fuqi të Europës i kanë fituar të shtatë takimet e para. Të shtunën e kaluar, Spanja fitoi 5-0 me Belgjikën regjistruar fitoren e shtatë në shtatë takime. Për djemtë e Vinsente del Boske shënuan Silva (41’, 68’), Vila (49’, 85’) dhe Pike (50’). Ndeshja kundër Estonisë duket si një formalitet për spanjollët. Përplasja e madhe për vendin e dytë është ajo midis Bosnjës e Turqisë, dy ekipet do të përballen me njëra-tjetrën në Sarajevë. Të shtunën e kaluar, Turqia fitoi 4-2 me Estoninë . Tunkaj Sanli (2), Serkan Jildrim dhe Arda Turan shënuan për Turqinë e drejtuar nga Fatih Terim. Për Estoninë realizuan Voskoboinikov dhe Vassiljev. Bosnjë Hercegovina fitoi 2-0 në transfertën me Armeninë, falë dy golave të realizuar nga Ibricic (6’) dhe Muslimoviç (73’). Në këtë grup kryeson Spanja (21 pikë), më pas vijnë Bosnja(15), Turqia (11), Belgjika (7), Estonia (5) dhe Armenia (1). Përplasja e madh

Grupi 6
Anglia e Fabio Kapelos është një hap larg Afrikës së Jugut. Të shtunën, Anglia fitoi 2-1 miqësoren me Slloveninë. Golat për “Tri luanët” e Fabio Kapelos mbajnë firmat e Lampard (31’, 11-m) dhe Defo (63’). Për formacionin e Sllovenisë, të drejuar nga Matiaz Kek, realizoi Ljubijankiç (85’). Anglia do të përballet me Kroacinë e vendit të dytë, dhe suksesi ndaj skuadrës së vendit të dytë, mbyll dhe llogaritë në këtë grup. Anglia, që nga ana e saj ka fituar vetëm një kampionat botëror, atë të vitit 1966, ka diferencën më të mirë të golave midis 53 ekipeve evropiane: 26-4. Kroacia nga ana saj fitoi 1-0 me Bjellorusinë, falë golit të mesfushorit të Shalke 04, Ivan Rakitic (24’). Anglia udhëheq me 21 pikë, shtatë më shumë se Kroacia e Ukriana (nga 14). Bjellorusia ka 9 pikë, Kazakistani 3 dhe Andora, 0 pikë.

Grupi 7
Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u luajtur, Franca duket se është në siklet të madh. Ish-kampionët e botës nuk kanë bërë një fushatë të shkëlqyer kualifikuese. E mërkura ofron përplasjen e madhe Serbi-Francë, ku francezët në Beograd kanë si objektiv vetëm fitoren për të shpresuar për kualifikim direkt. Franca, e cila barazoi të shtunën me Rumaninë në Paris, ka katër pikë më pak se Serbia (18) e vendit të parë. Në ndeshjen e parë midis këtyre dy ekipeve, Franca fitoi 2-1 me Serbinë. Rumania (8 pikë) pas suksesit me francezët, synon të bëjë rokadën me Austrinë e vendit të 3-të e që ka dy pikë më shumë se rumunët. Ndeshja e fundit e këtij grupi është ajo midis Ishujve Faroe dhe Lituanisë.

Grupi 8
Të mërkurën e ardhshme Italia do të luajë kundër Bullgarisë në Torino, një takim që vlen shumë për djemtë e Marçelo Lipit, në një kohë që Irlanda e vendit të dytë e ka pushim, përpara se dy skuadrat pretendente për vendin e parë të përballen midis tyre, më 10 tetor në Irlandë. Të shtunën, Italia fitoi 2-0 në transfertën e Gjeorgjisë (grupi 8), falë dy autogolave të kapitenit gjeorgjian, Kahkaber Kaladze (57’, 67’). Në median gjeorgjiane kanë shpërthyer akuzat ndaj lojtarit të Milanit, Kaladze. Bullgari fitoi 4-1 me Malin e Zi: Kishishev, Telkiyski, Berbatov (p) Domovchiski për bullgarët dhe Stefan Jovetic për malazezët. Irlanda fitoi në Qipro 2-1: Doyle e Keane për djemtë e Trapatonit dhe Elia për qipriotët. Renditja: Italia (17), Irlanda (16), Bullgaria (11), Qipro (5), Mali i Zi (4) dhe Gjeorgji (3).

Grupi 9
Holanda është lideri i padiskutueshëm i këtij grupi: 7 ndeshje, 7 fitore, 21 pikë, 11 më shumë se Skocia e vendit të dytë, ndaj së cilës do të përballet këtë të mërkurë në transfertë. Holanda e ka prerë tashmë biletën. Norvegjia e Maqedonia, të dyja nga shtatë pikë, do të përballen midis tyre në Oslo. Islanda e ka pushim në këtë grup. c

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›