E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mira qe vjen nga e keqja

Kriza politike po i afrohet fundit. Në rast se kompromisi nuk do të arrihet as të hënën dhe Kuvendi i mbyll punimet pa e ngritur komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, kjo nuk do të thotë se socialistët duhet të jenë medoemos të pakënaqur. Në seancën plenare të së enjtes, pozicionet e tyre me ato të demokratëve ishin aq të distancuara dhe përpjekjet për t’i përafruar aq të vogla, sa suksesi si një zgjidhje kompromisi u bë i pamundur. Grupimet vijuan axhendën e tyre politike dhe secili, më shumë sesa tjetrit, iu drejtua elektoratit të vet.

Tonin seancës ia dha mocioni me debat për integrimin europian të Shqipërisë, ku krahas dokumentit të socialistëve, demokratët paraqitën një projektrezolutë të tyren, të minutës së fundit. Me pika të përbashkëta që buronin prej dymbëdhjetë rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë, rezolutat ndaheshin aty ku ndahen qëndrimet politike për përgjegjësinë e refuzimit të statusit të vendit kandidat. Faji i bojkotit të opozitës, apo i drejtimit partizan të Kuvendit? I mosmiratimit të ligjeve të ashtuquajtur "të integrimit" për shkak të bojkotit, apo faji i korrupsionit të qeverisë dhe i politikës së pandëshkueshmërisë? Dhe më kryesorja, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, apo i zgjedhjeve të vjedhura dhe të manipuluara? Ky debat i ashpër disaorësh e bëri iluziv diskutimin në vazhdim për komisionin hetimor parlamentar.

Refuzimi i demokratëve kishte qenë i parashikueshëm përpara kësaj seance, pikërisht në momentin kur socialistët hoqën dorë nga fletët e votimit ("Tërheqja sulmuese e socialistëve", Shqip, dt.05.12.2010, fq. 8) Sepse në rast se fletët e votimit mund të implikonin të dyja palët, materialet zgjedhore synojnë të inkriminojnë vetëm autoritetet shtetërore. Politikisht kjo është e papranueshme për Partinë Demokratike, po aq sa është i papranueshëm ligjërisht rivlerësimi apo rinumërimi i fletëve të votimit për të cilat është shprehur një herë gjykata (Kolegji Zgjedhor).

Ashtu siç pritej, demokratët nxorën artificën e të famshmit nen 178.6 i Kodit Zgjedhor, i cili thotë se me asgjësimin e kutive me fletët e votimit, materialet zgjedhore shkojnë në Arkivin e Shtetit. Meqë socialistët nuk i duan më fletët e votimit dhe KQZ është e lirë t'i djegë ato, edhe materialet zgjedhore, në bazë të ligjit, duhet të shkojnë në arkiv!

Ky argumentim ka meritën e të qenët "ligjor" dhe Kryeministri këtë kishte parasysh kur këmbëngulte të enjten në Kuvend, që në vendimin për komisionin hetimor, të futej një referencë ndaj Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Kurioziteti qëndron se si e sheh Kryeministri komisionin hetimor? Në fakt, ai ka qenë konsekuent vetëm kur ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por sot sinqeriteti i tij vihet në dyshim në lidhje me gatishmërinë për të ngritur një komision hetimor për materialet zgjedhore. Neni 178.6 i Kodit Zgjedhor ka qenë gjithmonë aty. Ai nen ku kanë gjetur sot strehë demokratët, nuk mbiu nga hiçi. Nëse kjo, që në krye të herës, ka qenë një lojë e Kryeministrit, ai vërtet që ka qenë i pasinqertë, por nuk mund të mos pranojmë se brenda amoralitetit dhe cinizmit të politikës, ai ka luajtur më mirë dhe ka qenë më lart se socialistët, duke i tërhequr ata në lojën e tij. Kurse nëse marrim për të mirëqenë se ai qysh në krye të herës ka qenë dakord për ta ngritur këtë komision, atëherë do të ishte interesante të shpjegonte sesi e ka parë ai funksionimin e komisionit? Ku do ta gjente komisioni hetimor, sipas këndvështrimit të tij, lëndën e parë për të hetuar? Cili organizëm do t'ia jepte atij materialet zgjedhore? Këto janë disa pyetje me të cilat Kryeministri mund të përballet në ditët në vijim. Sidomos po të mbahet parasysh se ngritja e komisionit hetimor parlamentar me shumicë dhe nën kryesimin e socialistëve, është edhe një kërkesë e Parlamentit Europian, ashtu siç shprehet në rezolutën për Shqipërinë.

Socialistët nga ana e tyre nuk mund të pranojnë që në vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të vendoset referenca ndaj Kodit Zgjedhor, siç kërkon Kryeministri. Dhe ky është çelësi i problemit në këtë moment! Në rast se socialistët e pranojnë këtë, atëherë komisioni hetimor do t'i marrë materialet jo nga KQZ, por nga Arkivi i Shtetit. Kjo do të kërkojë kohë. Sipas KQZ-së, boshatisja e kutive do të zgjasë katër muaj. Një kohë të caktuar do të marrë dorëzimi i tyre në arkiv. Që nga momenti i marrjes në dorëzim nga arkivi dhe deri në vënien e materialeve në dispozicion të komisionit hetimor parlamentar, do të nevojitet tjetër kohë shtesë. Pra, është e qartë se pas tërë kësaj kohe, transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 do të jetë një temë e tejkaluar nga aktualiteti politik i zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011. Pa folur që tërë lufta e socialistëve po bëhet pikërisht për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

Por socialistët nuk kanë pse ndihen të humbur nga mosngritja e komisionit hetimor. Ashtu si qëndrojnë punët sot, socialistët mund të vazhdojnë akuzat e tyre për vjedhjen e votës. Prokuroria u dha të drejtë në rastin e Ruzhdies, por vërtetoi se në Shkodër nuk pati manipulime, siç pretendonin socialistët dhe demokristianët. Megjithatë, socialistët mund të tundin refuzimin për ngritjen e komisionit hetimor dhe të vazhdojnë të thonë të njëjtën gjë, që "Kryeministri Berisha refuzoi komisionin, sepse kishte frikë nga e vërteta". Ngado njëherë e vërteta është ajo që të pëlqen të besosh. Përveç kësaj, ideja e padrejtësisë, pra e votës së vjedhur apo e refuzimit të komisionit hetimor, mund ta mbajë më të bashkuar Partinë Socialiste. Të paktën bazën e saj, që është më e lehtë të karikohet pas një refuzimi të tillë. Socialistët do të kenë argumente të vazhdojnë protestat dhe të kërkojnë largimin e Sali Berishës. Tipike për një prag fushate elektorale. Kryetari Rama, nga ana e tij, do të ketë arsye të qëndrojë në krye të partisë, duke e udhëhequr atë në përballjet me "Saliun", që siç thotë vetë "jo vetëm i ka vjedhur zgjedhjet,... por mbi të gjitha u kuptua më mirë se asnjëherë, që pikërisht, vjedhja e zgjedhjeve është rrënja e të gjitha të këqijave të tjera".

Në këtë pikë, ku një fitore e vjedhur nuk është baras me humbjen, kush do të mund të rivinte në dyshim Edi Ramën në krye të PS-së? Sa mbështetje mund t'i jepte baza zërave për mendim ndryshe? Me siguri, aspak!

Pra, socialistët nuk janë viktima të barrës së dështuar të komisionit hetimor. "Zgjidhja" e krizës politike, që tashmë ka prekur fundin e saj, duket qartë se qëndron te mosszgjidhja! Dhe në njëfarë mënyre, kjo status quo në mos i kënaq, të paktën duket se nuk i trishton asnjë prej grupimeve të përfshirë në konfliktin politik, demokratë apo socialistë. Nuk thonë kot, pas çdo të keqe, ka një të mirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›