E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, autori mohon dëshminë

 

Armand Bajrami

Roland Xhepexhiu, njëri nga anëtarët e akuzuar si autorë të  “masakrës së Cërrikut” në vitin 1997, ku u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës, tha dje se dëshmia e dhënë prej tij në Prokurori gjatë hetimeve paraprake është e pavërtetë. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i pandehuri Xhepexhiu pretendoi se deklarimet e tij në prokurori, të cilat aktualisht janë pjesë e fashikullit të dosjes së gjykimit janë të manipuluara dhe se ai është detyruar t’i firmosë ato. Ndërsa togat e zeza të gjykatës u bënë të qartë të pandehurve se për pretendime të tilla duhet të bëjnë kallëzim në prokurori. Pretendimi i të pandehurit Xhepexhiu u bë prezent në seancën e djeshme, ndërsa ai do t’u përgjigjej pyetjeve të gjykatës dhe të palëve në proces. Sipas të pandehurit, në procesverbalet e pyetjes në prokurori, të administruara në dosje nuk ndodhen fjalët e tij. Bëhet fjalë për deklarimet e tij të dhëna përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore pas arrestimit në vitin 2007. “Nuk e di se çfarë është shkruar në to. Ato i kanë shkruar të tjerë dhe jo unë”, ka thënë ai në seancën e djeshme. I pandehuri Xhepexhiu akuzoi organin e Prokurorisë për presion për të firmosur deklarimet. “Më kanë bërë presion prokurori dhe bodigardi i tij. Prandaj unë kërkoj pavlefshmërinë e tyre”, është shprehur Xhepexhiu. Kërkesa e të pandehurit është mbështetur edhe nga avokati i tij mbrojtës. Në përgjigje të avokatit, gjykata u shpreh se kishte kaluar faza e shpalljes së pavlefshmërisë së akteve. Ndërsa në lidhje me pretendimet e të pandehurit për manipulim të procesverbaleve, gjykata i “ftoi” ata të bënin një kallëzim penal. Sipas togave të zeza, ankuesit mund të bëjnë padi penale në prokurori dhe gjithçka t’i nënshtrohet një procesi hetimor. Ditën e djeshme të pandehurit Meti Bozi dhe Llazar Bicja nuk pranuan të pyeteshin, pasi nuk ishin të përgatitur. Ngjarja e njohur si “masakra e Cërrikut” u shënua në 23 mars 1997. Në këtë datë efektivë të Gardës së Republikës ranë në pritë të armatosur në qendrën e qytezës së Cërrikut. Nga plumbat u vranë 6 efektivë të Gardës dhe u plagosën disa efektivë të Policisë së Shtetit. Sipas Prokurorisë, të akuzuar për ngjarjen janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.            

Xhepexhiu: S’kam lidhje me masakrën
Në një nga seancat e mëparshme, Roland Xhepexhiu ka pohuar përpara gjykatës së ai nuk ishte i përfshirë në ngjarjen e “masakrës së Cërrikut”. Sipas thënieve të tij në sallën e gjyqit ai kishte ndihmuar në ruajtjen e qetësisë në qytezën e Cërrikut në marsin e vitit 1997. Në deklarimet e tij ai përfshiu drejtpërdrejt në ngjarje “të penduarin dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë”, Bujar Buzani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›