E pamundur të ndalet fitorja e opozitës
Prof. Dr. Edmond Panariti
Fatkeqësisht po hyjmë në zgjedhjet e 23 qershorit me një minus të madh. Kemi tashmë të imponuar një Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formalisht funksional, por në thelb të paligjshëm. Kemi tash-më një institucion të dhunuar në legjitimitetin e mandatit të tij dhe për rrjedhojë të paragjykuar. Kjo situatë absurde është irrituese dhe nuk ngjall besim as mes palëve ashtu dhe mes zgjedhësve. Sesi duhet të sillemi në këtë situatë, kjo është një ndër pyetjet më të shpeshta që më drejtohet në takimet e mia me zgjedhësit. E ndodhur përpara këtij ‘puçi administrativ’, opozita, pavarësisht nga rrezikshmëria e rrethanave, nuk mundet ta ndalë pjesëmarrjen e saj dhe vijimësinë e procesit zgjedhor, por njëkohësisht nuk duhet të reshtë përpjekjet për kthimin e legjitimitetit të këtij institucioni. Ndërkohë, qeveria si përgjegjësja e vetme për këtë sit-uatë, pret që opozita ta njohë dhe t’i nënshtrohet kësaj paligjshmërie, ndërsa opozita nuk zotëron në fakt, asnjë mekanizëm për rivendosjen e legjitimitetit, por mbi të gjitha të besueshmërisë mbi këtë institucion të gjymtuar. Përballë këtij ngërçi institucional, po kërkohen, apo më mirë po hipotetizohen rrugëdalje në kufijtë e racionales dhe ligjores. Kështu për shembull, zgjidhja e ngërçit të pamundësisë së arritjes së shumicës së cilësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po kërkohet të kapërcehet duke ia kaluar vendimmarrjen në të tilla raste Kolegjit Zgjedhor. Në këtë mënyrë, Kolegji Zgjedhor, nga trupë gjykuese merr edhe atribute administruese, duke kapërcyer kornizat e funksioneve të tij. Përpos të tjerave, kjo rrezikon ta mbingarkojë së tepërmi këtë institucion dhe për rrjedhojë, të ndërlikojë dhe vonojë proceset e administrimit të zgjedhjeve, duke i mbivendosur ato mbi proceset e ankimimeve. Qeveria, tashmë e përfshirë vrullshëm në fushatë, duket se nuk është e ndërgjegjshme, se fara e mosbesimit e mbjellë me gjymtimin e KQZ-së, rrezikon të prodhojë fruta të hidhura në proces dhe sidomos me daljen e rezultatit. Nëse politika shqiptare do të udhëhiqej nga arsyeja e mirë, sigurisht Shqipëria do të ishte shumë për-para në proceset e Integrimit Europian, por edhe vendi do të mbartte një imazh shumë më të mirë dhe të qytetëruar në arenën ndërkombëtare. Kë-tu vlen të sillet në vëmendje çështja e njohur e miratimit të tre ligjeve. Tre ligjet kaluan me ngut dhe ‘in extremis’ në skadencë të kësaj legjislature, vetëm në sajë të këmbënguljes deri në fund të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e shpëtuar vendin nga dështimi i sigurt, i radhës në marrjen e statusit të vendit kandidat. Për fat të keq, dy polet e politikës nuk duan të ndajnë interesat e tyre politike dhe partiake nga interesat shtetërore dhe kombëtare dhe kjo vlen, si për çështjen e paketës së ligjeve të Integrimit, ashtu edhe për çështjet e proceseve zgjedhore. Aq shumë bie në sy ky lloj polarizimi dhe aq problematik është sa prononcim i partnerëve tanë është bërë përherë e më prezent. Konkretisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë dhe urojnë rikthimin e normalitetit funksional të KQZ-së dhe qartazi janë shprehur për respektimin e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Ky është emëruesi i përbashkët i shprehur në mënyra të ndryshme nga tre personalitete, z. Moore, ish-ambasadori Withers dhe ambasadori aktual Arvizu. Natyrisht, duhen veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë nga ata që drejtojnë vendin. Dhe këtu duhet sqaruar edhe ai spekulim që hidhet shpesh për qasje personale në çështjet politike shqiptare. Është e qartë se z. Arvizu, ashtu sikundër ai gjithnjë ka theksuar, në çdo rrethanë shpreh qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si përfaqësues personal i presidentit Obama. Qëndrimet e Shteteve të Bashkuara kanë qenë, janë dhe mbeten parimore, dhe aspak personale. Në këtë këndvështrim duhet analizuar edhe pozicioni i z. Withers, pra në atë që, ai mban pozicionin e një ish-ambasadori dhe një diplomati me përvojë; njohës i mirë i Shqipërisë dhe i politikës së saj. Sidoqoftë, një gjë është sigurt, pavarësisht problemeve që tanimë janë të qarta: Fitoren e opozitës nuk mund ta ndalë asnjë truk apo handikap institucional. Ajo do të jetë bindëse dhe e plotë. Por më i rëndësishëm se rezultati është procesi, i cili kërcënohet të komprometo-het rëndë nga cenimi i standardeve.