E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pandalshme

Edhe pse e re, këngëtarja nga Shqipëria, Samanta Karavello ka vazhduar me publikimin e këngëve të reja. E fundit ishte kënga “Larg”. Në një intervistë me gazetën “Mapo”, këngëtarja tha se është e kënaqur edhe me klipin e këngës. Nga Express më 29 gusht 2011 në ora 14:58

E re, por e pandalshme. Kështu konsiderohet këngëtarja Samanta Karavello, e cila sapo ka lansuar këngën “Larg” të punuar nga Kledi Bahiti dhe me një paraqitje, e cila është menduar dhe stilizuar nga stilisti Joni Peçi.

Këngë është një këngë verore dhe Samanta thotë se është duke u argëtuar me të. “Muzika dhe melodia e këngës më bënë për vete që në hapat e parë të këngës që në demo (siç i themi në gjuhën muzikore, qesh)... Muzika na inspiroi për të realizuar një tekst që na çonte larg. Për mua është kënaqësi që kam realizuar një këngë ndryshe, që nuk është realizuar më parë në Shqipëri nga asnjë këngëtar si dhe një këngë profesionale të ngjashme deri diku me ritmet e Armin Van Buuren...”, thotë ajo për MAPO.

Duke folur për dukjen e saj apo “lookun”, Samanta thotë se i ka besuar një stilisti të njohur shqiptar dhe e konsideron këtë “look” si të përshtatshëm për këngën. “Lookun” ia besova stilistit Joni Peçi. Çdo gjë u përshtat me stilin e këngës dhe sigurisht me vendin ku xhiroja. Nuk ka pasur ndërhyrje nga ana ime”, thotë ajo.

Karavello ka folur edhe për xhirimet e klipit që sipas saj nuk është xhiruar në Dubrovnik të Kroacisë. “Klipi është xhiruar në Porto Palermo, jo në Dubrovnik. Në Dubrovnik kam kaluar thjesht një fundjavë të këndshme relaksi. Çdo klip dhe çdo këngë ka shumë shpenzime, pa harruar dhe lookun që është po aq i kushtueshëm dhe po aq i rëndësishëm”.

Këngëtarja ka thënë se gjatë kësaj vere ka qenë shumë e zënë me koncerte, kështu që shumë pak ka pasur kohë që të bëjë një pushim, që mund të quhet tamam pushim.

“Është një periudhë shumë impenjative dhe sigurisht e lodhshme, por ka dhe shumë fitime. Unë kam qenë e ftuar kryesisht në bregdetin shqiptar, ku kam kaluar mbrëmje të mrekullueshme dhe jam pritur me shumë dashamirësi nga publiku. Nuk kam nisur ende pushime të mirëfillta. Pushimet e mia nisin në shtator. Nuk e kam menduar ende destinacionin, por di të them që do të jenë jashtë Shqipërisë”.

Duke folur për jetën e saj, ajo thotë se tashmë është duke menduar vetëm për hite të reja. “Akoma nuk e kam dhënë më të mirën time. Kam shumë akoma për të dhënë dhe për të sjellë. Synimet e mia janë shumë të larta, pse jo, edhe jashtë Shqipërisë!”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›