E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, dosjet kalojnë më 15 shtator

29/08/2011  Përllogaritja do të bëhet sipas aftësisë paguese që kanë familjet në nevojë

Bonusi i strehimit do të jetë sa gjysma e qirasë minimale

Masa e pagesës për bonusin e qirasë sociale që do të përfitojnë familjet në nevojë do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes, si dhe masa e qirasë që paguan, kjo e fundit. Për qytetarët, të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, Bashkia e Tiranës do të ofrojë mundësinë e trajtimit me bonus strehimi deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonus strehimi është dokumenti që përcakton një shumë të hollash, që i takojnë një familjeje, si ndihmë nga shteti, për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave. Vlera e bonusit të strehimit nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e qirasë minimale të banesave në tregun e lirë, për bashkinë ku jepet ky bonus. Vlera maksimale përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm dhe miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak.

Aplikimet

Të gjithë qytetarët e interesuar për tu trajtuar me këtë program, mund të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, i cili shqyrtohet fillimisht nga Sektori i Strehimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social dhe pastaj vlerësohet nga Komisioni i Strehimit, në përbërje të të cilit marrin pjesë përfaqësues nga organizata jofitimprurëse, të cilat mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme sociale. Më pas është Këshilli Bashkiak i Tiranës si organi vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e bonusit të strehimit.

Kreditë e lehtësuara

Programi i Kredive të lehtësuara nga shteti është pjesë e programit të Banesave me Kosto të ulët. Bashkia e Tiranës, për këtë vit është duke aplikuar Programin e kredive të lehtësuara nga shteti në kuadrin e Programit të Banesave me Kosto të Ulët, program i cili mundëson ndarjen e rreth 1 000 kredive. Në këtë kuadër, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social ka nxjerrë njoftimet zyrtare në Zyrën e Informimit të Qytetarëve, në njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës, për të gjithë qytetarët/familjet që kanë paraqitur pranë zyrave përkatëse në Bashki, kërkesën për strehim në Programin e Banesave me Kosto të Ulët dhe që kanë nivelin e të ardhurave në kufijtë: 31 007 - 51 249 lekë (për familjet të përbëra nga 1- 2 persona) 41 865 – 65 964 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona) 54 153 – 84 035 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona) 68 585 – 107 142 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona) të aplikojnë për të përfituar nga trajtimi me Programin e Banesave me Kosto të Ulët sipas udhëzimit nr. 6257, datë 02.09.2008 “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, si dhe Ministrisë së Financave, me dhënien e rreth 1 000 kredive. I gjithë dokumentacioni i dorëzuar pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social shqyrtohet paraprakisht nga Sektori i Strehimit dhe pastaj nga Komisioni i Strehimit. Ndër të gjithë aplikantët do të jenë fitues ata që kanë fituar pikët maksimale sipas sistemit të pikëzimit të miratuar me VKB nr. 51, datë 19.12.2008 për “Miratimin e sistemit të pikëzimit për bonusin e strehimit dhe sistemit të pikëzimit për subvencionimin e familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›