E para është Ramona
Ramona Tullumani, sopranoja e re që e kemi parë të këndojë vetëm në koncerte individuale, ku njohje më të gjerë mori në krah të tre tenorëve që këndojnë tradicionalisht çdo fund vit në Pallatin e Kongreseve - pra, kjo lirike shqiptare arrin të klasifikohet e para mes 70 konkurrentëve në Itali. Në konkursin ndërkombëtar të lirikëve të rinj, Shqipëria përfaqësohej vetëm nga ajo, një përfaqësim dinjitoz duke sjellë me vete çmimin e parë. Mes 70 konkurrentësh nga vende të ndryshme të botës ajo arriti t’i sfidonte, duke u cilësuar si këngëtarja më e përpiktë dhe më e pjekur profesionalisht, duke marrë parasysh edhe moshën e saj. Është vetëm 24 vjeç dhe juria e huaj, i ka cilësuar aftësitë vokale të Ramonës më të pjekura krahasimisht me moshën që ka. Pas çmimit, Italia e mbajti duke i ofruar një rol për vitin 2010, përgatitjen e “La Bohem”, në rolin e Muzetës me regji të Katia Riçarellit. Ramona tregon se shkoi në këtë konkurrim, që shënon ngjarje për karrierën e saj modeste dhe pse me repertor të pasur lirik.
Ramona, ju jeni fituesja e çmimit të parë në një konkurs ndërkombëtar për këngëtarët lirikë në Itali. Na tregoni diçka mbi këtë pjesëmarrje...
Ishte një konkurs shumë profesional, në të cilin merrnin pjesë mbi 70 konkurrentë nga shumë vende të botës, sidomos artistë nga Koreja, Japonia dhe Italia, ndërsa unë isha e vetmja që përfaqësoja Shqipërinë. Konkursi zgjaste dy net, ku në natën e parë isha e detyruar të këndoja dy arie operistike, ku unë zgjodha dy arie nga Pucini, Muzeta nga La Bohem dhe Laureta nga Gjani Skiki, ndërsa në të dytën, duhej me patjetër të interpretoja një are shumë të njohur, që tregonte profesionalizëm dhe saktësi në mënyrën se si e interpretoja. Natën finale, pra në atë të dytën, kam kënduar arien e madhe të Lucias nga opera “Lucia di lamermur” i Donizetit. Është një arie shumë e vështirë, pasi ka një teknikë të jashtëzakonshme, ndërkohë që veç kësaj duhet të isha shumë e fortë që të tregoja “belkanton” në një farë mënyre. Në konkurs kishin marrë pjesë shumë soprano, tenorë, mexosoprano, baritonë, për të cilët kishte vetëm tri çmime. Konkursi ndërkombëtar për të rinj “Concorso Internacionale di Canto Lirico, Tommaso Traetta”, është zhvilluar në operën me të njëjtin emër “Traetta Opera”, në Bitonto të Italisë, ndërsa unë arrita të fitoja çmimin e parë. Juria ishte e përbërë nga personalitete të njohura të artit e që përbëhej nga kompozitorë, regjisorë, pianistë profesionistë, i cili na kontrollonte çdo notë dhe fjalë për fjalë në momentin që ne këndonim, kishte gjithashtu edhe dirigjentë për shkak të saktësimit të partiturës, ndërsa këngëtarë nuk kishte. Gjithçka vërehej me shumë imtësi, më shumë nga ana teknike.
Si u gjendët në këtë konkurs? Ua sugjeroi ndokush, apo...?
Jo, askush nuk ma ka sugjeruar. Thjesht, kam aplikuar në site të ndryshme në internet, ku ka pafund konkurse që organizohen shpeshherë në të gjithë botën. Ky konkurs më bëri përshtypje, pasi organizohej për shumë pak ditë, pra në dhjetor. Kështu që s’kisha ndonjë arsye të mos shkoja dhe ta provoja veten. Përveç masterit që kisha bërë me sopranon e njohur me famë botërore, Raina Kabajvanska, e cila ka qenë pedagogia ime udhëheqëse në këtë specializim prej dhjetë ditësh. E them me plot gojën se ky master ka qenë një sfidë për mua, pra përballja në formën e një konkursi me artistë të huaj nga e gjithë bota, sepse të meritoje këtë specializim me sopranon e cila kishte punuar për shumë kohë me emrat më të njohur të skenës klasike ndërkombëtare si Luciano Pavaroti etj., fillimisht duhej t’i nënshtroheshe një konkursi. Aty merrnin pjesë 160 artistë të huaj, ku vetëm dhjetë prej tyre kishin të drejtë të kryenin këtë master që ishte i mbushur me aktivitete të ndryshme koncerte etj. Kjo është përballja e parë me këngëtarë të huaj.
Si u ndjetë kur ju morët çmimin e parë? E prisnit?
Ishte e papritur. Sado që e pret, apo edhe pse me ato çka dëgjon prej këngëtarëve të tjerë në prapaskenën dhe të bësh krahasimin me veten, asnjëherë nuk e di se çfarë mendon juria, asnjëherë nuk mund të mendosh se çfarë diskutojnë me njëri tjetrin për ty, apo një tjetër konkurrent. Është gjithmonë e papritur, sidomos për një shqiptar në një skenë të huaj. U ndjeva shumë, shumë e lumtur dhe e kënaqur nga anale.
Për çfarë ju vlerësuan më shumë, si shkak që ju dhanë edhe çmimin e parë?
Jam vlerësuar si këngëtarja që kisha kënduar në mënyrë më të saktë dhe të përpiktë nga të gjithë pjesëmarrësit, sidomos arien e fundit. Ata më vlerësuan shumë edhe vokalin, që e kisha shumë të pjekur për moshën që kam. Unë jam 24 vjeç dhe ata më cilësonin si këngëtare që kam vite që e rrah skenën. Në fakt, që në moshë të vogël kam kënduar shumë nëpër koncerte, shpeshherë edhe jashtë Shqipërisë dhe ky fakt më ka rritur profesionalisht. Kjo më bën që unë të punoj akoma edhe më shumë, jo vetëm në Itali, por edhe në Francë, sepse e dua shumë atë vend. Publiku më ka bërë “bizz” gjatë gjithë kohës dhe këtë unë e shikoj si një magnet që më tërheq vazhdimisht të jap koncerte. Po ashtu jam soprano liriko-dramatike, një gjë e mirë kjo për mua, sepse në këtë mënyrë jam e aftë të këndoj shumë role. Pas një farë kohe, pra kur pjekuria të ketë arritur stade edhe më të larta, do të jem e aftë të këndoj role edhe më dramatike që janë më të rëndësishme për një soprano. Puna e madhe, prej dhjetë vjetësh që unë kam studiuar kanto e ende vijoj ka dhënë këtë rezultat.
Ju theksuat pak më lart, se ishit e vetmja shqiptare si konkurrente në këtë konkurs. A e vështirësonte kjo gjë konkurrimin?
Është një vend që të gjithë e dimë që nuk është shumë mikpritës në këtë sens. Nëpër konkurse dihet që të huaj nuk shihen shumë të privuar, jo vetëm shqiptarët.
Pas marrjes së çmimit, a patët oferta për të kënduar?
Po, mora disa oferta për vitin 2010, si përgatitjen e “La Bohem” në Itali, pra rolin e Muzetës me regji të Katia Riçarellit. Jam e detyruar të bëj një koncert me orkestër në të njëjtin teatër meqenëse jam fituesja e çmimit të parë. Sa u përket projekteve të tjera për vitin e ardhshëm mund të përmend edhe aktivitetet që do të zhvilloj në Paris, pasi kam një dëshirë shumë të madhe për atë vend. Me sa duket, publiku është treguar shumë dashamirës me mua, e kjo më bën të jem e tërhequr pas këtij qyteti. Për shumë pak kohë do të organizoj edhe një koncert timin recital me pianistin Genc Tukiqin në Paris, si dhe koncertin “Tre Tenorët”, sërish në kryeqytetin francez.
A është e lehtë apo e vështirë të jesh soprano në Shqipëri?
Është shumë e vështirë. Duket që nuk jetojmë në një vend të zhvilluar, e rrjedhimisht edhe mundësi të tilla janë më të limituara. Më parë opera ishte shumë herë më e gjallëruar, ndërsa sot fatkeqësisht gjërat janë ndryshe.