Basha: Trafiku i qenieve njerëzore, masat e qeverisë për ta goditur
Qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat për parandalimin dhe goditjen e trafikut të qenieve njerëzore, si dhe trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Task-Forcës Kombëtare Antitrafik, kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e plotë të të gjitha institucioneve shtetërore dhe organizatave partnere për zbatimin e detyrimeve që paraqet Strategjia Kombëtare Antitrafik. Sipas tij, masat e marra së fundmi nga ekzekutivi do të ndihmojnë në goditjen e këtij fenomeni të rëndë. “Shtyrja e moratoriumit mbi skafet në ujërat tona territoriale, paketa e ligjit “Antimafia” dhe goditja e aseteve të grupeve të trafikimit janë pa dyshim instrumentet më të fuqishme në bërjen e kostos së këtij krimi monstruoz ndalueshmërisht të lartë për operatorët e rrjeteve kriminale vendase dhe ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë”, - u shpreh z. Basha. Numri një i Ministrisë së Brendshme, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore deklaroi se qeveria do të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme, përfshirë forcimin dhe rinovimin e instrumenteve ligjore, për të parandaluar, zbuluar dhe goditur autorët dhe rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore, si dhe për trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit. Ministri Basha theksoi rëndësinë e konsolidimit të bashkëpunimit të strukturave policore me prokurorinë dhe shërbimet mbështetëse për viktimat e trafikut dhe një angazhim më të madh të komiteteve rajonale antitrafik dhe të strukturave lokale sidomos pranë grupeve vulnerabël për parandalimin e trafikimit. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm siguroi mbështetje të plotë institucionale, financiare dhe materiale për organizatat joqeveritare që operojnë në qendrat e rehabilitimit të viktimave të trafikut.
Masat e marra në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore janë vlerësuar në raportin e këtij viti të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke ndryshuar rrënjësisht realitetin për sa i përket këtij problemi. Sipas Bashës, rezultatet e suksesshme në luftën kundër këtij trafiku, janë pjesë e përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave, e po kështu përfshihen në pyetësorin e sapoardhur nga Komisioni Evropian. Në këtë takim, i zhvilluar ditën e djeshme, u prezantuan masat dhe reformat e ndërmarra nga institucionet dhe partnerët e tjerë lidhur me drejtimet kryesore të luftës kundër trafikimit, ndjekja penale, mbrojtja dhe parandalimi, në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2008-2010, si dhe u nënvizuan prioritetet dhe sugjerimet për masat vijuese për çdo institucion. Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme, veç anëtarëve të Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, morën pjesë edhe drejtues teknikë në ministritë përkatëse, titullarë të agjencive të përfshira në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit në njerëz, përfaqësues të organizatave partnere dhe të shoqërisë civile. Në përfundim të tij, u përcaktuan masat dhe strategjitë që do të ndërmerren, për të parandaluar dhe goditur trafikun e qenieve njerëzore.