E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE, shuplakë

Robert Bosch

Organizata nderkombetare, per deshperimin e partive te vogla, shprehu haptaz dje perkrahjen e saj per sistemin zgjedhor qe mbeshtetet nga partite e medha ne vend

Ndërkombëtarët u dhanë dje një “shuplakë” partive “të vogla”. Ndërsa “të vegjlit” “treguan dhëmbët” gjatë këtyre ditëve, OSBE-ODIHR-i ndërhyri, duke vendosur kushte, që bien në kundërshti me kërkesat e partive “të vogla”. “Nuk duhet të ketë lista të hapura”, - ishte njëra nga kërkesat e qarta, e njëjtë me atë të PS-së, ndërsa të vegjlit kërkojnë lista të mbyllura. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, nga Shkodra bëri të ditur konkretisht kërkesat e ndërkombëtarëve që duhen plotësuar për të arritur standardet e kërkuara. “Ne si OSBE kemi kushtet tona, të cilat janë katër. Sistemi zgjedhor duhet të jetë transparent, demokratik, të mos ketë “Dushk” dhe të mos ketë lista të hapura. Listat e hapura nuk duhet të ekzistojmë më, pasi krijojnë mundësi për lëvizje emrash”, - theksoi Bosch. Listat e mbyllura konsiderohen nga partitë e vogla si jo demokratike, ndërsa kundërshtojnë qëndrimin e të mëdhenjve. Por ndarja mes kërkesave të PS-së dhe “të vegjëlve” është edhe për sistemin zgjedhor. Socialistët kërkojnë sistemin proporcional të personalizuar, ndërsa aleatët e tyre dhe të PD-së janë për sistemin proporcional të personalizuar. Lidhur me sistemin, OSBE-ja kërkon që ai të jetë demokratik dhe transparent. Sipas përfaqësuesve të të dyja palëve, sistemet që ata propozojnë janë demokratikë dhe transparentë, por ndërkombëtarët nuk duan të ndërhyjnë në këtë çështje. Përfaqësuesi i OSBE-ODIHR-it sqaroi se nuk ka asnjë preferencë për sistemin zgjedhor që do të përcaktohet, por është e kundërta për katër kushtet e sipërpërmendura, që duhen plotësuar medoemos. Ndërkohë, qëndrimi i ndërkombëtarëve për shmangien e fenomenit “Dushk” është në unision me qëndrimin e të gjitha partive parlamentare shqiptare. Se kush do të jetë sistemi zgjedhor, demokratik, transparent dhe që shmang “Dushkun”, këtë duhet ta vendosin vetë aktorët e politikës shqiptare. “Neve na intereson që të ketë një sistem zgjedhor, që do të zgjidhet nga autoritet shqiptare, por që të plotësojë kërkesat tona”, - nënvizoi Bosch. Në krahun tjetër, OSBE-ODIHR-i vë theksin tek përshpejtimi i hapave, pasi koha nuk pret. Po ashtu edhe ekzekutivi duhet të kryejë detyrimet e tij. “Koha në fakt është e shkurtër, pasi vitin tjetër do të ketë zgjedhje, ndaj duhet të përfundojë sa më shpejt procesi i reformës zgjedhore. Problem më vete është regjistri i gjendjes civile dhe kartat e identitetit, të cilat duhet të jenë sipas kërkesave”, - shtoi përfaqësuesi i OSBE-ODIHR-it në Tiranë. Gjithsesi, ai nënvizoi se për momentin çështja e sistemit zgjedhor është më e rëndësishme. Bosch shtoi se dalja me propozime direkte është pozitive, por tashmë mbetet që palët të bien sa më shpejt dakord për të gjetur sistemin, duke plotësuar kërkesat e ODIHR-it. PROPOZIMET PER SISTEMIN ZGJEDHOR:  OSBE-ODIHR 1- Lista të mbyllura 2 - Sistem transparent, demokratik 3 - Të shmanget “Dushku” PS-PD 1 - Lista të mbyllura 2 - Sistem proporcional rajonal 3 - Të shmanget “Dushku” “Të vegjlit” 1 - Lista të hapura 2 - Sistem proporcional të personalizuar 3 - Të shmanget “Dushku”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›