Millosheviçi i ri
Vojisllav Koshtunica
Koshtunica po përdor të njëjtat metoda, që 20 vjet më parë e çuan Serbinë drejt izolimit ndërkombëtar
“Liderët shqiptarë të Kosovës janë terroristë, SHBA-të janë një agresor injorant dhe Serbia është një viktimë e cila duhet t’i drejtohet Rusisë për ndihmë”. Retorika që vjen nga Serbia gjatë ditëve të fundit, të sjell në mendje epokën e të presidentit të ndjerë Sllobodan Millosheviç. Rreth 20 vjet më parë, Millosheviçi i përdori pasionet e serbëve për Kosovën, për të nënshtruar masat dhe për të frikësuar joserbët në ish-federatën Jugosllave. Edhe pas 4 luftërash të humbura, Serbia po përdor të njëjtat taktika në denoncimin e Perëndimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, një rajon të cilin serbët e shohin si “zemrën e tokës së tyre”. “Perëndimi është i vendosur të na poshtërojë”, - bërtiste kryeministri serb Voisllav Koshtunica javën e kaluar gjatë një tubimi në Beograd. Ai tha se Serbia nuk do të pranojë kurrë një “shtet fals të Kosovës me përkrahjen e Perëndimit”. Edhe vetë Ivica Daçiç, lideri i Partisë së vjetër Socialiste të Millosheviçit, e lavdëroi Koshtunicën për “rikthimin në politikat e Millosheviçit” lidhur me Kosovën. Por këtë herë Serbisë i mungon krenaria e ushtrisë së vjetër jugosllave që Millosheviçi përdori për të detyruar lidershipin etnik shqiptar të Kosovës që t’i përkulej sipas dëshirave të tij. Edhe më ultranacionalistët në Serbi thonë se nuk ua mban të sfidojnë forcat paqeruajtëse të NATO-s që ndodhen në Kosovë. E megjithatë, qëndrimi antiperëndimor i Millosheviçit që e futi Serbinë në izolim ndërkombëtar gjatë viteve 1990, rezonon sërish mes nacionalistëve serb. “Serbia mezi i mbijetoi përfundimit gjakderdhës të regjimit të tmerrshëm të Millosheviçit. E megjithatë, asnjë mësim nuk u mor dhe ja ku jemi rikthyer nga e para, tek politikat e vjetra”, - thotë Nenad Çanak, politikan i opozitës serbe. Serbia e humbi kontrollin ndaj Kosovës që në vitin 1999, pas fushatës ushtarake të NATO-s që kontribuoi për t’i dhënë fund terrorit gjakderdhës së Millosheviçit kundër shqiptarëve. Dhe nuk është vetëm retorika antishqiptare e njëjtë me atë të viteve 1990. Anëtarë të të njëjtave milici të krahut të djathtë që Millosheviçi përdori në luftërat e tij në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në këto vite, janë rikthyer nëpër rrugët e Beogradit duke sulmuar ambasadat e vendeve të huaja dhe duke kërcënuar politikanët liberalë serbë që u kundërvihen politikave qeverisëse. Disa thonë se Koshtunica, i cili udhëhoqi revoltat masive që rrëzuan Millosheviçin në vitin 2000, ka filluar të ngjajë shumë me ish-diktatorin. Kryeministri serb shprehet se Serbia nuk do të rivendosë marrëdhëniet me SHBA-të apo shtetet e tjera perëndimore, derisa ata të anulojnë njohjen e shtetit të ri të Kosovës, diçka që sipas zyrtarëve amerikanë nuk do të ndodhë kurrë. Koshtunica thotë gjithashtu, se Serbia duhet të heqë dorë nga qëllimi më i rëndësishëm i vendit për t’u anëtarësuar në BE, dhe në vend të kësaj t’i drejtohet aleatit të saj sllav, Rusisë, e cila gjithashtu kundërshton fort pavarësinë e Kosovës. AP