E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Bashkepunim edhe me Nanon

Ilir Meta

Kreu i LSI-se tha dje se nuk do ta perjashtonte bashkepunimin me Nanon per reformen zgjedhore. Sinjale edhe 6 deputeteve qe votuan Bamir Topin

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje, se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me Fatos Nanon për çështjen e reformës zgjedhore. I pyetur konkretisht nëse e përjashtonte mundësinë e bashkëpunimit me ish-kryetarin e tij, ai u përgjigj: “Për çështjen zgjedhore, me askënd. Unë jam takuar me zotin Berisha para dy vjetësh për këtë çështje. Dhe kur kemi pasur ndonjë takim tjetër, kemi folur që: “Shiko, se kjo është puna e puna më e rëndësishme që duhet bërë dhe rëndësi ka që sistemi të jetë i ndershëm”. Në krahun tjetër, Meta nuk i tha “Jo” as bashkëpunimit me 6 deputetët që votuan Bamir Topin President. Ai theksoi se koalicioni i ri i iniciuar nga LSI-ja po formësohet e se nuk mund të marrë vendime personale pa u diskutuar më parë me strukturat e LSI-së. Gjithsesi, ai shton se “qëndrimi im ndaj këtyre deputetëve nuk ndryshon, në kuptimin e paprapunueshmërisë dhe dënueshmërisë së dënimit të tyre, sepse shkelën një pakt të opozitës, sepse Presidenti i takonte opozitës dhe jo mazhorancës, megjithatë në demokraci nuk ka do të thosha armiq”. Në krahun tjetër, Meta e quajti të pamoralshëm lëvizjen e deputetëve. Megjithatë, sipas tij, ky fenomen nxitet nga dy partitë kryesore. Lidhur me këtë çështje, ai përmendi se deputetët e PS-së kanë dënuar lëvizjen e Hamit Kostës drejt PDK-së, por në krahun tjetër, e konsideruan si të moralshëm këtë veprim, kur deputeti Kosta lëvizi nga PDS-ja drejt PS-së. Në krahun tjetër, kreu i LSI-së përjashtoi mundësinë që çarja me PS-së të jetë krijuar nga debate për kryeministrin. Sipas tij, ambicia e gjithsecilit për postin e kryeministrit është absurde të diskutohet para rezultatit të procesit zgjedhor. Këtë çështje, siç u shpreh Meta, e kanë në dorë zgjedhësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›