E Diel, 1 Nëntor 2026

E përzënë nga shtëpia, braktiset nga shteti

Historia e një gruaje të dhunuar, që endet prej muajsh në kërkim të një strehe
Në mes të katër rrugëve. Shprehja e njohur padyshim karakterizon jetën e një gruaje 51-vjeçare, që është nga fshatrat e Korçës dhe para pak kohësh erdhi në Durrës për të jetuar me bashkëshortin e saj. Ai është një burrë i moshuar, po kjo nuk e ka penguar që ta keqtrajtojë dhe ta nxjerrë jashtë shtëpisë pas denoncimit në polici për dhunë fizike dhe shfrytëzim të banesës për qëllime prostitucioni. Bardha C., tregon ende shenjat e dhunës që i kanë mbetur në trup. Jeta e saj është një maratonë mohimesh, vuajtjesh e pamundësish për të jetuar qetësisht. Në labirintin e saj jetësor duket se janë fshirë 10 vjet jetë. Janë “zhdukur” nga kujtesa e saj mbase si një formë mbrojtjeje për të mbijetuar. Ajo troket prej disa muajsh në dyert e Qendrës Sociale për Gratë dhe Vajzat në Durrës dhe në polici, në kërkim të mbështetjes dhe të një strehe që i mungon. është një viktimë e dhunës familjare dhe e një shoqërie që nuk ofron asnjë mundësi për trajtimin e rasteve si i saji. Vuan dhe nga probleme të shëndetit mendor, ndonëse asnjëherë nuk ka pasur mundësi të kurohet prej tyre. Jeta e ka rënduar, ndërsa të shkosh në spital “duhen para”, siç thotë dhe vetë. Dëshmon se pas ardhjes në Durrës nga Rrogozhina, jeta e saj ndryshoi për keq. Blenë një apartament në katin e parë të një pallati në Lagjen nr.5 të qytetit bregdetar dhe vendosën të jetojnë aty pjesën e jetës që u kishte mbetur, po sot ajo është pa një çati mbi kokë. Endet nëpër dyert e të afërmve pa gjetur atë që më së shumti ka dashur në jetë, si çdo njeri në fund të fundit, një familje. E martuar që herët, ajo thotë se lindi një vajzë të cilën u detyrua ta lerë në familjen e ish-burrit. Që kur e bija ishte 12 vjeçe, nuk e ka parë më. Atë e rrit xhaxhai i saj dhe Bardha i ka shkëputur marrëdhëniet, por zemra prej nëne nuk e harron atë që ka lënë pas, e detyruar nga rrethanat e jetës. Tregon se pak vite më parë e motra që ka në Elbasan i gjeti përmes njohjeve burrin e dytë dhe ai me një martesë tjetër të hedhur pas krahëve dhe fëmijë të rritur. Mosmarrëveshjet me nusen e djalit të të shoqit i detyruan të lenë Rrogozhinën dhe të vijnë në Durrës. Në dhjetor të vitit 2008 ajo lidhi martesë me Llukën, aktualisht 75 vjeç. Denoncimi në polici nuk i solli asgjë. Jo mbrojtje, po dhe përzënien nga shtëpia. Trokiti në derën e Qendrës Sociale për Gra e Vajza që ndodhet pranë godinës së Gjykatës së Rrethit Durrës. Kërkoi ndihmë, pasi shpresat i janë shuar ndërsa vitet ikin. Nuk ka ku të shkojë. Shërbimi Social Shtetëror e ka informuar këtë qendër se për rastet si ai i Bardhës dhe grave të tjera të dhunuara e të pastreha, po ngrihet një strehëz në Kamzë. Por ajo po ngrihet, deri atëherë Bardha dhe të tjera si ajo do të enden rrugëve, duke ndjerë mbi vete peshën e një jete të pafat, që u mohoi mundësinë e një familjeje të rregullt, e një kujdesi shëndetësor e psikologjik që të zbusë pasojat e së kaluarës e së tashmes së hidhur. Ajo kërkon ndihmë dhe sytë e lodhur nga lotët njomen sërish. Jeta është treguar e ashpër me të dhe në çastin kur ajo u dorëzua e vetmuar përballë saj, u ndesh me murin e ngritur nga shteti i vet, shoqëria së cilës i përket. Përballet me një vend që politikat sociale i ka veç në letër. Pas mbeten fjalët në konferenca e tryeza të rrumbullakëta dhe të fiksuara në strategji kombëtare të pazbatuara. Në realitet për këtë kategori nuk ka asnjë mbështetje. Në Qendrën e Grave Durrës, projekt i Shoqatës së Grave me Probleme Sociale, mbështetur nga shoqata suedeze “Kvinna till Kvinna” (“Gruaja për gruan”), thonë se përveç Shërbimit Social Shtetëror e Bashkisë, rastin e Bardhës, ashtu si të shumë grave të tjera, ia kanë referuar strehëzës “Tjetër Vizion” në Elbasan, nga ku presin një përgjigje që ende nuk ka mbërritur. Për Bardhën ende nuk ka një dritë jeshile që të strehohet diku, të ketë një vend ku të jetojë pa provuar çdo çast mëshirën e të afërmve që kanë jetën, familjen e tyre dhe prania e saj është e tepërt, i rëndon. Dhe ajo i kupton, por... Pas 2-3 ditësh ajo do të gjendet në rrugë. E vetme, pa përkrahje, pa para. Dhe qetësisht e plot dhembje thotë: “S’dua asgjë më shumë veç të jetoj e punoj, të mbaj veten”. Kërkon dhe pret një ndihmë duke besuar në shpirtin human, pasi nga strukturat shtetërore nuk mund të presë asgjë. Për ta gati nuk ekziston. Veç fjalë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›