Vendimi: Si ndryshojnë kriteret e marrjes së titujve akademikë

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Këshilli i Ministrave
përmes një vendimi të posaçëm që mori sot, përcaktoi disa ndryshime në mënyrën
sesi përzgjidhet dhe kualifikohet personeli akademik. Kështu, brenda tij përcaktohet
fakti se universitetet të cilat kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik
për titullin profesor janë ai i Tiranës, Politeknik, Bujqësor, Akademia e
Arteve të Bukura, Akademia e Kulturës Fizike dhe Sporteve si edhe qendrat
kërkimore-shkencore, me status të krahasueshëm me atë të një universiteti, shoqëruar
edhe me institucionet e arsimit të lartë që kanë të drejtë të promovojnë
personelin akademik për titujt Profesor i Asociuar, të cilat janë
institucionet e arsimit të lartë publik.
Për organizimin dhe
drejtimin e kualifikimit, shkencor e
pedagogjik, pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të
arsimit të lartë ngrihet këshilli i profesorëve ku bëjnë pjesë të gjithë
profesorët me kohë të plotë të fakultetit. Numri minimal i anëtarëve të
KP-së është shtatë veta, nga të cilët, së paku, pesë janë Profesorë. Një ose
dy anëtarë të KP-së janë Prof. Asoc., të punësuar me kohë të plotë, në
fakultetin në fjalë ose fakultete të tjera të universitetit, që janë në prag të
promovimit për titullin Profesor, parashikon më tej vendimi.
Ndërsa shton edhe promovimi për titullin
Prof. Asoc. bëhet nga KP-të e fakulteteve të institucioneve të arsimit të
lartë publik (më tej universitetet), me kërkesë të vetë kandidatit/es.
Në fund, vendimi parashikon që komisioni
vlerësues harton një raport përfundimtar vlerësues për veprimtarinë botuese dhe
aftësitë pedagogjike të kandidatit/es, së bashku me rekomandimin për dhënien
ose jo të titullit. Raporti i dërgohet titullarit të institucionit, i cili ia
përcjell atë, së bashku me dosjen përkatëse, kryetarit të Komisionit të
Vlerësimit të Titujve Akademikë.
n.e/NOA