Bashkësia Islame e Maqedonisë e Kosovës, ndihma për përmbytjet

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Organizata
joqeveritare dhe institucione të ndryshme, individë dhe subjekte fizikë e
juridikë, vijojnë të japin ndihma të konsiderueshme monetare dhe materiale në
ndihmë të familjeve që u dëmtuan nga përmbytja që ndodhi në muajin janar në
qarqet Shkodër dhe Lezhë. Në ndihmë të këtyre banorëve janë solidarizuar edhe bashkësia
islame e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të
ministrisë së Brendshme për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave bashkësia islame
e Kosovës do të japë një kontribut financiar prej 83 mijë euro në ndihmë të
banorëve që u dëmtuan nga përmbytja në qarkun e Shkodrës dhe qarkun e Lezhës.
Kjo ndihmë iu bë e ditur gjatë një bisede
telefonike ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha nga kryetari i kësaj bashkësie,
Naim Tërnava.
Nga ana tjetër, edhe bashkësia islame e
Maqedonisë do të ofrojë gjithashtu ndihma të konsiderueshme monetare për
familjet që pësuan dëme nga përmbytjet natyrore në Shkodër dhe Lezhë,
konkretisht 58 mijë euro dhe 9 mijë franga zvicerane.
Ndihma u konfirmua nga kryetari i Bashkësisë
Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, i cili u prit në një takim të veçantë
nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha.
Basha nga ana e tij, shprehu vlerësimet për
solidaritetin dhe po ashtu edhe falënderimet e tij për kontributin financiar të
Bashkësisë Islame të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, në ndihmë të familjeve që
pësuan dëme në banesa dhe në ekonominë e tyre bujqësore si pasojë e përmbytjeve
natyrore që ndodhën në muajin janar në qarkun e Shkodrës dhe qarkun e Lezhës.
n.e/NOA