E Diel, 1 Nëntor 2026

E plagosura: Nuk mund të jetoja më me Gencin

Elsa Telhaj që ka lënë dje spitalin ushatarak, është rrëfyer për hetuesit, duke pohuar si shkak të ndarjes xhelozinë


I vetëplagosuri Ilnica, ndodhet në spital në gjendje arresti ndërsa ende në kokë mban një plumb që i rrezikon jetën së paku edhe një javë


TIRANE- Elsa Telhai, gruaja e re që mbeti e plagosur dy ditë më parë në afërsi të shtëpisë së saj në rrugën "Tahsim Shehu", ka lënë dje Spitalin Ushtarak në kryeqytet, për t'u rikthyer në banesën e prindërve të saj. Ndërkaq, gjatë pyetjes nga policia, Elsa Telhaj ka pohuar se nuk donte të jetonte më në familjen e Gencit, për shkak të xhelozisë dhe se gjithçkaje i kishte ardhur fundi në marrëdhënien e tyre. Ajo tashmë ndodhet në shtëpi jashtë rrezikut për jetën. Në të kundërt, gjendja e bashkëshortit të saj, Genci Ilnica, me të cilin ka jetura deri disa javë më parë, sipas mjekëve, është e rëndë. Pavarësisht se ata po mundohen të mbajnë gjendjen e tij nën kontroll, për shkak se në pjesën ballore të kokës në brendësi të saj ai ka ende një plumb të kalibrit të vogël, i qitur nga arma me të cilën ai fillimisht plagosi Elsa Telhain, nënë e fëmijës së tij e më pas veten. Mjekët e Spitalit Ushtarak konfirmuan, se gjendja e tij, është në rrezik për shkak se prania e plumbit në kokë, i rrezikon të marrë ndonjë infeksion të mundshëm. Për këtë shkak javën e ardhshme, ai pritet t'i nënshtrohet një operacioni për heqjen e plumbit në kokë. Sipas mjekëve, plumbi që ka marrë Genci ka përshkuar një zonë delikate, ku për pak sa nuk i ka marrë jetën. Predha ka kaluar poshtë mjekrës, në gjuhë, qiellzën e gojës, e më pas duke arritur që të prekë dhe një pjesë të trurit. "Vetëm pasi të hiqet plumbi nga koka atëherë mund të flasim për gjendjen përfundimtare të të plagosurit",- shprehen mjekët që kanë nën vëzhgim Genci Ilnicën. I plagosuri është në gjendje të flasë dhe kjo sipas mjekëve është një sinjal pozitiv, për të mos patur probleme me të ardhmen. Sipas të afërmeve të 19- vjeçares, Telhaj, gjendja shëndetësore e saj është e mirë dhe plumbi që ka marrë nuk i ka sjellë asnjë dëmtim serioz për jetën. Sipas dajës së saj, Gazmendit, mjekët kanë vendosur që ajo të trajtohet në shtëpi, për shkak se nuk ka më asnjë rrezik për jetën.


Hetimi
Ndërkaq, një ditë pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje gruan e re, të plagosur dy ditë më parë, pranë banesë së saj nga ish- bashkëshorti. Kjo e fundit mësohet se ka rrëfyer shkaqet e konflikteve të tyre sipas saj. Sipas burimeve të policisë, ajo ka deklaruar se mosmarrëveshjet e tyre kanë lindur nga xhelozia e të shoqit dhe marrëdhëniet jo të mira të krijuara në familje. Deklarimi i saj është administruar nga hetuesit në cilësinë e dëshmisë, së personit të dëmtuar. Ndërkaq pritet që gjendja e Ilnicës të përmirësohet me qëllim që mjekët të marrin dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen. Ai aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje arresti në pavionin e neurokirurgjisë, ku po mjekohet pas plagës së marrë. Policia nuk ka lejuar as familjarët që të kenë kontakt me të, duke qenë se ai tashmë konsiderohet në paraburgim dhe i akuzuar për së paku dy krime të dyshuara të kryera prej tij. Pas daljes nga spitali, Genci Ilnica duhet të përballet me akuzën e vrasjes të mbetur në tentativë dhe të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake. Ilnica 27 vjeç, me detyrë shofer pranë Televizionit Publik Shqiptar, dy ditë më parë pas grindjeve të vazhdueshme plagosi me pistoletë tip "Zaztava", gruan e tij Elsa Telhajn, duke e lënë atë të plagosur lehtë në kokë. Më pas, ai qëlloi veten në pjesën e poshtme të mjekrës duke mbetur i plagosur rëndë. Policia paraprakisht pohoi se si shkak të ngjarjes kishte identifikuar konfliktet e xhelozisë në familjen e tyre. Çifti, sipas burimeve, por edhe të afërmve të Ilnicës, ishte ndarë disa herë dhe për herë të fundit kjo kishte ndodhur disa muaj më parë, kur Elsa Telhaj kishte braktisur shtëpinë e të shoqit, ku edhe kishte braktisur edhe foshnjën e saj.


Motra: Genci e dashuronte Elsën
E vetmja që ka mbetur në shtëpinë e familjes Ilnica është motra e Gencit, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes janë vendosur në Spitalin Ushtarak për të marrë vesh rreth shëndetit të të afërmit të tyre. Antigona Ilnica edhe pse është e tronditur nga ajo që ka ndodhur, tregon se Genci ishte shumë i dashuruar pas Elsës e nuk donte kurrë që ajo të largohej. Me lot në sy, ajo thotë që edhe pse nuk kishte kaluar akoma një vit nga martesa, konfliktet kishin ardhur duke u shtuar, por Genci kurrë nuk ka dashur që kjo martesë të shkonte drejt shkatërrimit. "Mund të them që im vëlla ka qenë gjithmonë i edukuar e asnjëherë nuk ka krijuar konflikte të kota dhe kjo që i ka ndodhur ka tronditur jo vetëm atë, por të gjithë pjesëtarët e familjes"- shprehet motra e Gencit e cila qëndron në dyqanin pranë banesës, që është pronë e familjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›