E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen me pasaporta bullgare false, dy në pranga

Policia e Tiranës zbulon një bazë të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, ndërsa çon në qeli dy persona. Oficerët e antikrimit ekonomik-financiar organizuan ditën e djeshme një operacion të koduar "Ora e vonë" i cili u finalizua me arrestimin e 45-vjeçarit Shpëtim Bega, dhe 38-vjeçarit Bujar Sallata. Burime zyrtare nga policia thanë se dy personat u kapën në afërsi të "21 Dhjetorit", në Tiranë sepse kishin me vete pasaporta bullgare, për të cilat dyshohet se po tentonin t'i falsifikonin së bashku edhe me një sasi dokumentesh të dyshuara të falsifikuara. Të njëjtat burime shtuan se dyshohet se dy personat falsifikonin dokumente zyrtare me porosi nga persona të ndryshëm të cilët paguanin një shumë parash kundrejt tyre. Policia bëri të ditur se antikrimi ekonomik-financiar kishte siguruar informacione në rrugë operative për aktivitetin e dyshimtë të Begës dhe Sallatës duke nisur menjëherë hetimet. Kështu pas disa muaj hetime, policia mundi të kapte me dokumente false në dore dy të dyshuarit të cilët u shoqëruan menjëherë në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës. Policia ushtroi, kontrolle në banesat e të arrestuarve ku gjeti një sasi tjetër dokumentesh të dyshuara të falsifikuara. Ndërsa, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta bullgare, kartë identiteti bullgare, dokumente mjeti italiane, pulla taksash vjetore me vulë të njomë 20 copë, njësi qendrore, skaner, tre telefona celularë, dy USB etj. Në njësinë qendrore të kompjuterit, u konstatuan afro 40 specimente vulash te institucioneve shqiptare. Burime nga policia thanë se ndaj dy personave u formulua akuza e "Falsifikimit të dokumenteve" e kryer në bashkëpunim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›