Vrau taksistin 11 vjet më parë, arrestohet
Taksisti Mustafa Çaushaj është vrarë në Vlorë me një plumb pas koke. Vrasësi i dënuar për vjedhje e tentativë vrasjeje
Erjon Katiaj ka kryer krimin në moshën 18-vjeçare sepse donte t'i grabiste taksistit makinën
VLORË- Ka ekzekutuar një taksist 11 vite më parë në qytetin e Vlorës dhe gjatë kësaj kohe ka menduar se i ka shpëtuar drejtësisë por vetëm dje është përballur me fletë arrestin për krimin e kryer. I arrestuari është 29- vjeçari Erjon Katiaj, lindur në Velçë dhe banues në lagjen "10 korriku" të qytetit të Vlorës.
Ai akuzohet për vrasjen e taksistit Mustafa Çaushaj, në ditët e para të vitit 1998. Burimet e policisë pohojnë se ka qenë ndër ngjarjet ngjethëse të pas trazirave të 97-ës në Vlorë, vlerësuar se ishte vrarë dikush që dilte për të nxjerrë bukën e familjes së vet.
Personi është qëlluar me një plumb në kokë, që vetëm tashmë rezulton se krimi ishte kryer nga një 18- vjeçar. 11 vjet më parë 50- vjeçarin, që vetëm për pak kohë kishte punuar si taksist, e gjetën pa jetë pranë Jonufrës.
Mister mbetën motivet dhe po kështu autori. Viktima nuk rezultoi të kishte pasur asnjë hasmëri, apo konflikt. Por pas arrestimit të autorit është zbuluar se krimi ka ndodhur pasi vrasësi donte t'i merrte taksinë.
Sipas deklaratës zyrtare të policisë së Vlorës bëhet fjalë për Erjon Katiaj, 29 vjeç, lindur në Velçë dhe banues në lagjen "10 korriku", i dënuar dy herë në parë për vjedhje dhe tentative vrasje. Ai është arrestuar për vjedhjen me armë me pasojë vdekjen, e cila bën fjalë për vrasjen e shtetasit Mustafa Çaushaj, ndodhur në 16 janar në 1998, në vendin e quajtur Jonufër, në aksin rrugor Vlorë Orikum.
Në lidhje me këtë ngjarje, kanë rifilluar hetimet dhe pas një punë njëvjeçare, gjykata e ka dënuar me arrest në burg. Siç bëjnë me dije burime nga policia, në lidhje me vrasjen e viteve më parë kanë dalë provat e mundshme, të cilat e implikojnë Katiaj me këtë vrasje.
Të gjitha këto janë dokumentuar, ndërsa janë pjesë e hetimit për ngjarjen e ndodhur 11 vjet më parë. Burimet nga policia pohojnë se Katiaj është dënuar më parë me tre vjet burg, të cilat i ka vuajtur nga viti 1999 deri në 2002. Pas kësaj mbi të rihapet një tjetër proces për tentativë vrasjeje.
Katiaj shpallet në kërkim, ndërkohë që gjen strehim në Itali.
Në listën e vrasjeve të vjetra në Vlorë, renditej dhe ajo e 50- vjeçarit Çaushaj, ndërkohë që dosja e rihapur për këtë çështje risjell tek të dyshuarit një emër jo të panjohur për policinë e Vlorës.
Pas një vit hetimesh, 29-vjeçari deportohet nga shteti fqinj, por bashkë me akuzën e tentativës për vrasje, atij i bashkëngjitet edhe një tjetër akuzë.
Ajo e vrasjes që ka kryer kur ishte 18 vjeç. Burime nga policia pohojnë se në dokumentimin e provave, përfshihet edhe ajo e pranimit të krimit.
Kjo ka bërë që skenari të zbardhet. I riu ka kërkuar një shërbim taksi dhe i është vënë në dispozicion. Kur kanë qenë në rrugën jashtë qytetit, duke përfituar nga errësira dhe arma që mbante me vete, ai i ka kërkuar taksistit të zbriste. Pas kundërshtimit, Katiaj ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vrarë në vend.
Taksisti është gjetur i qëlluar me një plumb pistolete në kokë. Motivi i vrasjes atëherë mbeti mister, ashtu si dhe autori i saj, ndërkohë që vetëm pas 11 vjetësh është zbuluar se gjithçka e kishte kryer një 18 -vjeçar.