E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, Dëshmia e Trebickës merret provë

Dëshmia e dhënë nga biznesmeni i vdekur në aksident është vendosur të administrohet nga prokuroria


Dëshmitari kryesor i trafikut të armëve, që denoncoi publikisht aferën e fishekëve, në një bisedë të përgjuar ku përmendej djali i kryeministrit

TIRANË- Dëshmia e biznesmenit tashmë të ndjerë, Kosta Trebicka, që denoncoi publikisht dhe më pas në Prokurori të Përgjithshme aferën e armëve shqiptare drejt Kabulit mes kompanisë MEICO dhe kompanisë amerikane AEY, është vendosur më në fund të administrohet në dosjen hetimore të "trafikut të fishekëve" si provë e rëndësishme materiale.

Ky lajm konfirmohet nga burimet pranë grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët pas dorëzimit të dosjes me 29 të pandehurit e shpërthimit të Gërdecit pranë Gjykatës së Lartë, vendosën veçimin e hetimit për dyshimet e ngritura të "trafikut të armëve" mes kompanisë MEICO dhe AEY-së.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se denoncimet e biznesmenit tashmë të ndjerë Kosta Trebicka, të bëra në media të ndryshme menjëherë pas shpërthimit të punishtes së demontimit në Gërdec më 15 mars 2008, është grumbulluar dhe administruar si pjesë e dosjes hetimore të "trafikut të fishekëve".

Pjesë të dosjes hetimore janë bërë edhe një sërë materialesh dhe dokumentesh e regjistrime të bisedave telefonike që vetë i ndjeri Trebicka ka bërë gjatë bisedave me persona të ndryshëm.

Gjithashtu, pjesë e kësaj dosjeje, është bërë edhe dëshmia e dhënë nga Trebicka para oficerëve dhe prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme më datë 4 dhe 5 prill 2008, për rreth 11 orë.

Kjo dëshmi e dhënë vetëm pesë muaj para se biznesmeni Trebicka të ndërronte jetë në aksidentin e ndodhur me makinën e tij, pasditen e 12 shtatorit 2008 pranë fshatit Lekas të Korçës, një zonë e thellë malore ku besohet se denoncuesi i trafikut të fishekëve kishte shkuar për gjah.

"Me dërgimin e dosjes penale me 29 të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, dosja e dyshimeve për "trafikun e armëve" u veçua nga grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili ka "ngecur" në vazhdimin e hetimit në pritje të ardhjes së letër- porosive nga Zvicra dhe Qipro.

Për hetimin e kësaj dosjeje, linja e prokurorëve të "trafikut", ka qenë pak më e ngadaltë se dy linjat e hetimit të shpërthimit në Gërdec. Kjo ka ardhur edhe për mungesë të ardhjes së përgjigjeve të letër-porosive nga Zvicra dhe Qipro.

Dy shtete këto, ku ndërmjetësuesi i kompanisë shqiptare MEICO dhe asaj amerikane AEY kishte rezidencën e shoqërisë "Edvin ltd"'-thuhet nga një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme që dëshiroi të mbetet anonim.

Sipas akuzës, provat e siguruara nga Trebicka dhe dëshmia e tij që tashmë është administruar në dosje, janë ndër provat kryesore që kanë detyruar edhe hetuesit të nisin hetime për këto dyshime të trafikut të municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit.

Biznesmeni Trebicka, u bë personazh publik vetëm pas tragjedisë së 15 marsit të Gërdecit ku si pasojë e shpërthimit gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan. Në vitin 2007, ai ishte kontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli për të bërë paketimin e municionit.

Por gjatë fazës së parë të punës, Trebicka mësoi se futja në skenë e kompanisë "Edvin lid" me administrator Henri Tomein kishte shkaktuar dyfishin e çmimit, fakt të cilin ia bën me dije Diverolit.

Pas këtij momenti, Trebicka është shmangur nga zbatimi i kontratës, proces pune të cilën MEICO "ia dhuroi" Delijorgjit, duke bindur edhe pronarin e AEY-së. Pas largimit të Trebickës, MEICO e drejtuar nga i pandehuri Ylli Pinari ia shiste kompanisë ndërmjetësuese "Edvin ltd" një paketë me fishekë për 22 dollarë amerikanë, kompania "Edvin ltd" ia shiste më pas po këtë paketë me fishekë kompanisë amerikane AEY me 40 dollarë, duke marrë një shtesë prej 18 dollarësh, të cilat sipas burimit ndaheshin mes palës shqiptare dhe drejtuesit të "Evdin.Ltd".


------------------------------------------------------------------------------------

Kosta Trebicka dhe Shkëlzen Berisha kanë pranuar se janë takuar rreth 1 muaj para tragjedisë së Gërdecit


Trebicka: Takimi im me Shkëlzen Berishën


TIRANË- "Djalin e kryeministrit e kam takuar për 5 apo 6 minuta, në sheshin "Nënë Tereza", për të sqaruar ato që kishte thënë Pinari". Kështu ka pohuar Kosta Trebicka për takimin me Shkëlzen Berishën. Në një intervistë televizive, Trebicka ka pohuar se me Shkëlzenin është takuar brenda makinës së këtij të fundit, që ishte parkuar përpara Akademisë së Arteve.

Sipas rrëfimit të mësipërm, takimi është bërë pasi denoncuesi Trebicka u ka dhënë dokumente dhe kasetën e përgjimit, ku përmendet emri i Berishës dhe djalit të tij investigatorëve amerikanë. "Unë kisha një detyrim moral që kur të diskutoja për kryeministrin tim, më parë këtë ta diskutoja me familjen e kryeministrit.

Dhe kur unë pashë reagimin e djalit të kryeministrit që me shumë qetësi, me shumë vendosmëri kërkoi që të ballafaqohej me presidentin dhe me punonjësin amerikan, natyrshëm unë krijova bindjen se ai nuk ishte i përfshirë në këtë aferë",-ka thënë Trebicka, pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit dhe pak muaj para se të ndërronte jetë.

Emri i Shkëlzen Berishës është i lidhur me vizitën e Efraim Diverolit në Shqipëri, kur ky i fundit është detyruar të firmosë një kontratë në prani të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe një djali të ri rreth të 30-ave, që Pinari ia kishte prezantuar si djalin e kryeministrit Sali Berisha.

Rrëfimin për këtë takim, 22-vjeçari Diveroli ia ka bërë Trebickës në telefon, ndërsa përgjimet e kësaj bisede janë botuar pak kohë më parë nga "Shekulli". Takimi sqarues mes Trebickës dhe Shkëlzen Berishës është bërë rreth një muaj para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›