E pranon gabimin

Gafin e tij se, 47 përqind të amerikanëve që nuk paguajnë taksa, kandidati presidencial republikan, Mitt Romney, fillimisht e përshkroi si “thënie joelegante”. Tani thotë se “ishte plotësisht e gabuar”.
Romney pati deklaruar se gati gjysma e amerikanëve veten e konsiderojnë “viktima”, dhe se ata varen nga qeveria.
Por në një intervistë të së enjtes mbrëma për Fox News, kur u pyet se çfarë do të kishte thënë gjatë debatit me presidentin Obama “për atë 47 përqindëshin”, Romney u përgjigj se nganjëherë gjatë fushatës nuk shprehet si duhet, kështu që edhe “në këtë rast thash diçka që ishte plotësisht gabim”.
Komentet e tij për “47 përqindëshin” u bënë publike në gjysmën e muajit shtator, pasi që u publikua një xhirim i fshehtë që ishte bërë në muajin maj, derisa Romney po mbante një takim për mbledhje të fondeve.