E Shtunë, 31 Tetor 2026

E presin Gjykatën

LDK’ja ende nuk ka vendosur nëse do ta dërgojë votën e Presidentit Pacolli për Qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, pasi Kuvendi miratoi procesverbalin e seancës plenare të 22 shkurtit. AAK’ja shfaqet e vendosur që edhe këtë rast ta nxjerrë para gjyqit, përderisa Vetëvendosja nuk sqaron nëse do t’u bashkohet nismave të opozitës për këtë rast. Nga Faton Ismajli më 05 mars 2011 në ora 09:27

Dosjes së Presidentit Behgjet Pacolli i është shtuar edhe një fakt për shkelje të Kushtetutës.

Vota e dhënë për Qeverinë e Kosovës, pak minuta pasi kishte bërë betimin si President, i është shënuar në procesverbalin e Kuvendit të Kosovë që është miratuar me shumicë votash të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Ky fakt pritet të shfrytëzohet nga deputetët e opozitës, të cilët ende nuk kanë vendosur nëse do t’i drejtohen për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim ligjor nëse Shefi i Shtetit ka bërë shkelje kushtetuese.

Tri ditë më parë, LDK’ja bashkë me AAK’në, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese interpretim ligjor për procedurat e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në krye të shtetit.

Tash, partitë politike kanë afat prej 30 ditësh, nga momenti kur Pacolli votoi për Qeverinë e re, për ta dërguar në Gjykatë pretendimin e dytë se është shkelur Kushtetuta nga Presidenti.

Ish-kryetari i AKR’së votoi për Qeverinë, pasi ishte betuar si President, me gjasë pa e ditur se një gjë e tillë do të mund të përbënte shkelje kushtetuese.

Mirëpo, Pacolli ka thënë se nuk e di nëse ka votuar për Qeverinë, derisa rreth pohimeve nëse e ka shkelur Kushtetutën, sipas tij duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Gjykatës më të lartë në vend, Enver Hasani ka thënë se nëse vërtetohen pretendimet e opozitës se janë shkelur procedurat ligjore me rastin e zgjedhjes së Presidentit, atëherë çështja kthehet në pikën zero.

Hasani ka theksuar se nëse ndodh një gjë e tillë, nuk është e nevojshme dorëheqja e Pacollit, përveçse duhet të përsëritet procedura e zgjedhjes së Presidentit.

Sido që të jetë, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë duke u përgatitur që lëndën e dytë për Behgjet Pacollin ta dërgojnë në Gjykatë.

“Jemi duke u përgatitur që ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese rreth shkeljes që ka bërë Presidenti në rastin e votimit të Qeverisë”, ka thënë Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi për Express.

Ai ka deklaruar se disponimi në AAK dhe në partitë opozitare është për t’i shkuar deri në fund “Rastit Pacolli”.

“Normalisht se ne e kemi theksuar që në fillim se është shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, prandaj kemi deklaruar se do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore në mënyrë që të vërtetohet shkelja që është bërë në Parlament”, ka shtuar Isufi.
Edhe Arben Gashi i LDK’së thotë se grupi i ekspertëve të kësaj partie është duke punuar rreth çështjes së Presidentit.

“Duhet me u pa a kemi President, a jo. Nëse nuk kemi President, duhet me pa a duhet me dërgu, a jo. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se kemi President, atëherë shkon lënda tjetër që ai President e ka shkelë Kushtetutën”, ka thënë ai.

“Ka kohë, të shohim”, ka thënë Gashi, kur është pyetur për afatin njëmujor për të dërguar pretendimet për shkelje të Kushtetutës nga ana e Behgjet Pacollit.

Ndryshe, Rexhep Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se shkeljet e Kushtetutës nga ana e udhëheqësve të institucioneve janë bërë ‘normale’ dhe se nuk shohin zgjidhje as në Gjykatën Kushtetuese.

“Parregullsitë ne raport me Kushtetutën që këta vetë e kanë miratuar, janë bërë tashmë rregullsi.... Nuk do të sillte asgjë të re ndërhyrja edhe e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Selimi për Express.

Ai ka thënë se Vetëvendosja do t’i kundërshtojë veprimet e udhëheqësve të institucioneve brenda dhe jashtë Kuvendit dhe nuk ka specifikuar se a do t’iu bashkohen nismave opozitare për “Rastin Pacolli”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AKR’së, Ibrahim Makolli kishte propozuar në seancën e së enjtes heqjen e votës së Pacollit nga procesverbali i Kuvendit dhe që ajo të shpallet e pavlefshme.

Madje, Makolli ka lënë të kuptohet se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka nxitur veprimet e Pacollit për të votuar për Qeverinë, pasi ai është bërë President i Kosovës.

Por, përgjigjja e Jakup Krasniqit ka ardhur të premten, duke e mohuar se e ka thirrur me emër, Presidentin Behgjet Pacolli për të votuar si deputet.

Ai tha se Pacollin e ka thirrur vetëm për t’ia uruar detyrën e re.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›