EULEX: Marnac nuk largohet

(E plotësuar) EULEX ka reaguar ndaj një artikulli të Kohës Ditore, sipas të cilit thuhet se mandati i Javier de Marnac, si Shef i EULEX’it do të përfundojë në tetor.
EULEX fuqishëm hedh poshtë këtë informacion se de Marnhac do të përfundojë misionin e tij si Shef i EULEX’it në mes të tetorit.
Bazuar në procedurat normale të BE, de Marnhac ka filluar misionin me 15 tetor dhe do ta vazhdojë ripërtëritjen e tij edhe për një vit tjetër.
Marnhac largohet në tetor
Katërmbëdhjetë tetori do të jetë dita e fundit e Xavier Bout de Marnhac në krye të EULEX-it. Gjeneralit francez pritet që të mos i zgjatet kontrata që i përfundon në mes të muajit tetor, dhe pritet që një francez tjetër ta trashëgojë atë në postin e udhëheqësit të misionit më të madh që BE-ja ka pasur në histori të vet.
Burime brenda misionit i kanë thënë gazetës se zhvillimet e fundit por edhe performanca jo e mirë e misionit prejse gjenerali francez e ka marrë në udhëheqje, nuk i kanë “ndihmuar atij që të marrë mandat edhe për një vit”.
Deri më tash të gjithë ish-zyrtarët e lartë të EULEX-it kanë shërbyer dy vjet në Kosovë. Zgjatja e kontratës pas vitit të parë të punës është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë pas performancës së mirë. Një gjë e tillë pati ndodhur me shefin e parë Yves de Kermabon. Por ky nuk do të jetë rasti me gjeneralin Marnhac. Ai do ta lërë misionin vetëm pas një viti punë.
Ndërkohë gjatë muajit shtator burime të gazetës kanë shpjeguar se në Kosovë do të qëndrojë një mision nga Brukseli, që do të hartojë një raport për ESDP-në lidhur me ndryshimet që duhet bërë dhe kohëzgjatjen që duhet të ketë mandati i ardhshëm i EULEX-it, pasi që ky aktuali përfundon në qershor të vitit 2012.
Sipas burimeve të gazetës, obligimi kryesor i shefit të ri të EULEX-it do të jetë që krahas përmirësimit të performancës të përgatisë misionin sipas rekomandimeve që do të dalin nga ky raport për mandatin e ardhshëm. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se është pothuaj e sigurt se shtetet anëtare të BE-së do të pajtohen që EULEX-i të ketë mandat edhe për dy vjet shtesë, që i bie deri në vitin 2014. (koha)