“E rëndësishme transparenca në Drejtësi”

Eduiard Halimi, ministri i Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë një vizite në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, shprehu rëndësinë që ka transparenca në sistemin gjyqësor.
Ministri Halimi takoi stafin drejtues të Gjykatës së Apelit dhe stafin administrativ të saj për t’u njohur nga afër me sistemin e menaxhimit të çështjeve civile dhe penale si dhe aksesin për qytetarët. “Transparenca e sistemit gjyqësor është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është detyrë e drejtuesve të gjykatave që të venë në eficensë të plotë sistemin elektronik, theksoi ministri Halimi, ndërsa shprehu bindjen se, dixhitalizimi i sistemit gjyqësor do të forcojë transparencën duke sjelle padyshim rritjen e përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor ndaj ligjit, uljen e korrupsionit dhe forcimin e besimit të publikut”.
Ndërkohë që përpjekjet për të përmirësuar sistemin e drejtësisë duhet të vijnë padyshim edhe nga vetë aktorët e sistemit të drejtësisë, duke rritur transparencën, duke përkrahur dixhitalizmin e sistemit, si një përpjekje e qartë e tyre për të dalë nga status quo. Drejtuesit e Gjykatës së Apelit e njohën ministrin me menaxhimin e sistemit elektronik si dhe hapjen e faqes zyrtare për këtë gjykate duke garantuar për përpjekjet e tyre për rritjen e transparencës për publikun dhe kthimin e besimit te qytetareve tek drejtësia.
Në këtë takim, Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Halimi, propozoi që kryetarët e Gjykatave të shpallin një ditë të hapur për publikun në hedhjen e shortit me qëllim që qytetarët të shohin vetë se si hidhet shorti në Gjykata, duke theksuar se, përpjekja e aktorëve të drejtësisë për transparencë është shumë e rëndësishme për reformat.