E rrallë, lind viçi me gjashtë këmbë në Lushnjë
Qyteti i Lushnjës bëhet arenë e një mutacioni të rrallë gjenetik. Këtë herë në qendër të vëmendjes është vendosur në viç i porsalindur, i cili dallon dukshëm nga kafshët e të njëjtit lloj. 6 këmbët dhe dy organet gjenitale, e bëjnë viçin e lindur në Lushnje të jetë një nga kafshët më të rralla, që kanë lindur deri më sot në vendin tonë.
Viçi ka lindur në Karbunarë të rrethit të Lushnjës, dhe ka shqetësuar së tepërmi pronarët e tij. Familja e Ferrum Kasapit tregon se e ka pritur me ankth lindjen e viçit, pasi kryesisht merreshin me mbarështimin e gjedhit dhe tregtimin e tij. Kishim më shumë se dy ditë që prisnim që lopa të nxirrte në dritë viçin, dhe kur ai lindi, na befasoi të gjithëve. Pas shtatë lindjesh normale, lopa ka lindur këtë herë me operacion, dhe për këtë arsye ka pasur edhe komplikacione të vazhdueshme. U detyruam që të thërrisnim veterinerin e fshatit për të bërë një ndërhyrje të tillë, shprehen e zonja e shtëpisë shtëpisë, Shpëtime Kasapi. Por, i befasuar nga kjo lindje, ka mbetur edhe veterineri i fshatit, i cili ka treguar se është thirrur nga familja Kasapi për një ndërhyrje, pasi lopa e tyre nuk po arrinte të lindte normalisht. Shkova për të asistuar në këtë lindje, e cila ishte shumë e komplikuar. Kur pashë që viçi po vinte në jetë, vura re fillimisht se ai kishte më shumë këmbë, por kur ai lindi plotësisht pashë edhe problemet e tjera gjenetike, që mbartte. Viçi ishte 37 kilogram, peshë kjo jo normale për një lindje e aq më tepër që kishte dy organe gjenitale në trup. Fare pranë njëra-tjetrës, viçi i porsalindur ka të pozicionuara një organ mashkullor dhe një femëror, mësohet të ketë thënë veterineri i zonës, Kudret Gjyshja. Ndërkohë, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me viçin e çuditshëm, por sipas anëtarëve të familjes Kasapi, kjo lindje ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, kështu që ata do të vazhdojnë ta mbajnë, derisa viçi nuk paraqet probleme shëndetësore.