E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohen në Korçë, arrestohen në Skrapar

Janë dënuar në Gjykatën e Faktit, Korçë në mungesë për vjedhje në bashkëpunim, por nuk i kanë shpëtuar kampit të vuajtjes të dënimin, pasi pas dënimit po kjo gjykatë i ka shpallur persona në kërkim, ndërsa prokuroria pranë rrethit gjyqësor ka nxjerrë edhe urdhrin e ekzekutimit. Burime të policisë lokale të komisariatit të Skraparit, që i referohet edhe lajmit, bënë me dije se rreth orës 19:30 të ditës së djeshme, punonjësit blu të këtij komisariati kanë arrestuar në banesat e tyre shtetasit; Entil Hysi dhe Myftar Vlashi përkatësisht 23 e 24 vjeç, banor të fshatrave Gurazes dhe Cericë të komunës Kona. Më pas ata janë shoqëruar po nga forcat blu të këtij rrethi në dhomat e paraburgimit, që ndodhen në ambientet e këtij komisariati. Të njëjtat burime, thanë për gazetën se dy shtetasit u arrestuan në bazë të zbatimit të urdhër ekzekutimit të prokurorit të rrethit Korçë dt. 13.5.09 bazuar në numrin 151 të datës 30.4.09 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, gjykatë e cila ka dënuar shtetasit në fjalë me 2 muaj e 28 ditë burg për veprën penale të Vjedhjes në bashkëpunim, të parashikuar në nenin 134 / 2 të Kodit Penal. Sipas burimeve  policore, dy shtetasit Hysi dhe Vlashi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të vjedhin pronën private, të një fshatari në një fshat, në afërsi të qytetit të Korçës dhe më pas janë larguar. Më pas vjedhja është zbuluar me anë të shenjës së gishtave, të lënë në vendin e vjedhjes. Burimet policore të komisariatit të Skraparit, bënë me dije se oficerët e Policisë Gjyqësore pasi kryen procedurat ligjore me dy të arrestuarit, u bënë të ditur dënimin si dhe njohjen me vendimin përkatës të marrë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Korçë. Po ditën e djeshme, dy arrestuarit së bashku me dosjet e tyre u nisën në vendin e vuajtjes së dënimit për të kryer dënimin e marrë nga kjo gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›