E rrallë, në fundjavë 10 shtretër bosh në kardiologji
Hera e fundit kur në kardiologji kishte të paktën një vend bosh nuk mbahet mend as nga personeli mjekësor që punon aty.
E çuditshme, por e vërtetë, një ngjarje e “rrallë” ka ndodhur këtë fundjavë në pavijonin e kardiologjisë. Aty kanë qenë dhjetë shtretër bosh. Pacientët që nuk e kanë përmbushur përkufizimin e rastit të urgjencës, nuk janë pranuar të trajtohen në shërbim, po ashtu edhe ata që nuk e kanë zbatuar sistemin e referimit.
Sipas shërbimit, një pjesë e të kthyerve mbrapsht ishin pa dokumentacionin e kërkuar, si dhe të sëmurë nga rrethet.
Boshatisja e shërbimit dhe ulja drastike e fluksit të pacientëve ka ardhur fill pas urdhrit të lëshuar nga drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Sipas këtij urdhri, duhet të pranohen në shërbim vetëm rastet emergjente, të cilat nuk mund ta shtyjnë trajtimin apo ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Pjesa tjetër e pacientëve, të cilët shpesh herë për të përfunduar punë më shpejt kalojnë nga shërbimi i urgjencës, duhet të reduktohet.
Sipas urdhrit, pavijonet e kardiologjisë, kati i parë, kati i dytë, duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën tre shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e urgjencës së Spitalit numër 1.
Pavijonet e tjera të sëmundjeve të brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të urgjencës të paktën dy shtretër për pavijon. Pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilët nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare.
Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit.
Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i kardiologjisë, dhe shërbimet e kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave të sjellin në drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre. Bashkë me këtë urdhër, QSUT-ja ka lëshuar pak kohë më parë edhe një tjetër udhëzim të rëndësishëm, për dhënien e shërbimit 24 orë të një pjese të laboratorit dhe disa ekzaminimeve. “Në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të urgjencës është garantuar shërbim 24-orësh i laboratorit të analizave dhe imazheria konvencionale”, theksohet në urdhrin e QSUT-së. Ekzaminimi dhe analizat do të bëhen ditën kur kërkohet nga mjeku përgjegjës dhe nuk do të pritet më që të vijë mëngjesi apo të zbardhë e hëna pas fundjavës me dy ditë pushim.
#