E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli viziton stabilimentet

Durrës

Ministri Ruli, gjatë një vizite në stabilimentet e zonës së Durrësit dhe Tiranës, ka deklaruar nismën e qeverisë për të ndarë këtë vit rreziqet me bankat private që kreditojnë sektorin bujqësor dhe agroushqimor. Sipas tij, rruga më e mirë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë është tërheqja dhe garantimi i kapitalit bankar në ferma dhe agropunime. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e sheh investimin në prodhim dhe agropërpunim si alternativën më të mirë të zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Sipas tij, me dhjetëra prodhues të vegjël po zhvillojnë me sukses biznese bujqësore, duke sjellë në vend përvojat dhe teknologjinë e vendeve europiane. Kjo sipas Rulit ka bërë që edhe në mungesë të subvencioneve në vend të prodhohet me standarde europiane. Së bashku me ambasadoren zvicerane, ministri Ruli ka vizituar Institutin e Bujqësisë Biologjik. Me qëllim mbështetjen financiare dhe teknike të bujqësisë BIO, qeveria zvicerane, e mbështetur edhe nga SHBA-ja në vitin 2001 ndërmori projektin “Mbështetje për bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri (SASA)”. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bën të ditur se ndërkohë po vazhdon projekti për përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullsisë rurale, duke rritur cilësinë e produkteve dhe tregtimin e tyre në tregun vendas dhe atë të eksportit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›