E rrihte burri, e plagos me bisht lopate
FIER – E dhunonte, plagos burrin me bishtin e lopatës. Vladimir Demçe, 46 vjeç, ka përfunduar në urgjencën e spitalit të Fierit pas frakturave të shumta që ka marrë në trup. Një ngjarje e rëndë ndodhi në lagjen “Afrim i ri” të Fierit, ku protagonistë kanë qenë pikërisht bashkëshortët Vladimir e Anita Demçe. Një konflikt mes çiftit ka bërë që gruaja 42-vjeçare të godasë me një lopatë të shoqin, ndërsa në ndihmë i ka shkuar dhe i vëllai i saj 25-vjeçar, Hasan Kukalaj. Nga marrja në pyetje e gruas, ajo ka pohuar se dhuna sistematike e të shoqit e ka detyruar të ndërmerrte një veprim të tillë. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se Anita së bashku me të vëllanë Hasanin i kishin bërë të qartë disa herë Vladimirit, që të mos vinte më dorë mbi të shoqen. Por, sipas gruas, ai nuk ka ndalur. Ditën e djeshme, Anita ka telefonuar të vëllanë, i cili me shpejtësi ka mbërritur në banesën e çiftit Demçe. Në këtë moment, gruaja, e mbështetur dhe nga ndihma e vëllait, ka marrë një bisht lopate dhe me të ka qëlluar disa herë ndaj të shoqit. Banorët e lagjes kanë dëgjuar zhurmën që vinte nga shtëpia e familjes Demçe dhe ndërhynë. Ata transportuan të plagosurin për në spital, ndërsa autorët ishin larguar për në shtëpinë e prindërve. Aty policia ka gjetur Anitën dhe të vëllanë e saj, duke i arrestuar me akuzën e bashkëpunimit në plagosje. E arrestuara ka pohuar se dëshmitarë të dhunës sistematike janë dhe fqinjët e saj. m.r