E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpronësimet për autostradën e jugut, Levani në protestë

 

FIER - Janë shoqëruar me protesta të gjitha përpjekjet e deritanishme të banorëve të zonës së Levanit në rrethin e Fierit për marrjen në kohë të kompensimit financiar për tokat që i zë autostrada. Banorët e komunës së Levanit kanë bllokuar në këtë mënyrë punimet që po bëhen aktualisht në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Vetë ata kanë deklaruar për mediat se gjithmonë nuk kanë pranuar të bëhen punime në këtë aks, pasi deri tani nuk është realizuar premtimi për kompensimin e pronave, që tani po shfrytëzohen për ndërtimin e autostradës. “E kemi vendosur që nuk do të lejojmë të vazhdojnë punimet. Shteti të shohë se si po e përballojmë jetën, jo të na lërë në mëshirë të fatit. E kemi tokë arë dhe gjatë këtyre kohëve që ne nuk i kemi shfrytëzuar se do t’i kishim mbjellë e marrë përfitim si gjithë të tjerët. Ne jemi të varfër dhe jetesën e kishim lidhur me këtë tokë bujqësore”, thotë Donika Preja, një nga banoret e Levanit. Punimet në këtë pjesë të autostradës së jugut kanë nisur prej një muaji dhe prej kësaj kohe banorët kanë protestuar për paratë. Banorët kërcënojnë se nëse nuk do të ketë lëvizje nga institucionet shtetërore, ata do të hyjnë në grevë urie, si formën më ekstreme të protestës së tyre. Ata pohojnë se do të pengojnë zhvillimin e punimeve, nëse nuk do të shpronësohen në bazë të ligjeve në fuqi. Bëhet fjalë për rreth 280 familje, të cilat kanë pasur në pronësi tokat mbi të cilat po ndërtohen pjesa e autostradës që lidh qendrën e vendit me jugun. “Kërkojmë një zgjidhje urgjente, pasi në të kundërt jo vetëm që do ta përshkallëzojmë protestën, por do të hyjmë në grevë urie dhe masa jonë e fundit do të jetë bojkot total i votimeve në zgjedhjet e qershorit”, thonë banorët.   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›