Dita e Verës, starton festa e 14 marsit
ELBASAN – Festimet për Ditën e Verës u hapën dje zyrtarisht në vendlindjen e saj, në qytetin e Elbasanit. Panairi i përvitshëm ka hapur siparin e një morie aktivitetesh që kanë vazhduar mbrëmjen e djeshme dhe janë planifikuar gjatë gjithë ditës së sotme. Në ceremoninë e panairit të Ditës së Verës, i cili organizohet nga Dhoma e Tregtisë në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit, ka rënë në sy mungesa e pushtetarëve të lartë vendorë apo e deputetëve të qarkut. Më pas festimet janë pasuar me një koncert gjigant të organizuar në qendër të qytetit të Elbasanit, i cili ka zgjatur për rreth 4 orë. Nga ana e saj, Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve që do të pasojnë ditën e sotme me karnavalet e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme, si dhe me një ekspozitë pikture, e cila do të çelet në mesditë pranë teatrit “Skampa”. Festimet e Elbasanit do t’i përshëndesë dhe kryeministri Berisha, i cili siç e ka shndërruar në traditë do të vizitojë një familje elbasanase për të provuar ëmbëlsirën karakteristike të Ditës së Verës, ballokumen. Dita e Verës është festë e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës. Rreth origjinës së festimit të Ditës së Verës nuk ka një version të qartë. Thuhet se kjo ditë ka lidhje me Dianën e Çermenikës, që njihej si hyjneshë e pyjeve dhe e natyrës. Si festë pagane, Dita e Verës, shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë. Në Elbasan për të festuar Ditën e Verës pritet të mbërrijnë me mijëra qytetarë, kryesisht nga rrethet fqinje e më gjerë, si Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini, Librazhdi, Gramshi, Korça etj. a.k