E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shikoj Partinë Socialiste të bjerë në katastrofën psikotike të Edvinit

Tani fillojnë akrobatllëqet politike të Edvin Ramës. Gramafoni i përsëritshëm i retorikës edviniste paszgjedhore po zbardhet, pikërisht tani. Kryetar Edi Rama, nuk qau për humbjen politike të PS në zgjedhjet e 28 qershorit - shumëkush brenda saj dhe gjithë asaj që simbiozohej nën hijen e Edvinit, e kishte kristalizuar (dhe ishin ambjentuar) idenë e humbjes së PS, qysh pa filluar fushata e zgjedhjeve. Edi Rama asnjëherë nuk punoi për fitoren e PS, pasi metodikisht ishte vetë kryetari Edi Rama që e shpërbëu PS dhe e shndërroi në një facebook të rrjetit të vet shoqëror. Rinovimins partiak, Edi Rama e fokusoi në mbiruajtjen në dollapin partiak të “palltove” komunisto-socialiste, me Gramoz Ruçin e Namik Doklen, ku pjesa tjerë e hemisferës partiake u zëvendësua nga facebook-u i rrjetit shoqëror me “MJAFT”-ët e Veliajt dhe të Saimir Tahirit. Edi Rama e shndërroi kështu PS-në si ato pallatet e anësrrugëve të Tiranës, që ua ngjyrosi fasadat me gjithëfarëngjyrash dhe me shigjetat drejtuese “Rruga e vetme në PS të çon te kryetar Rama”. Për socialistët e ndershëm, tashmë nuk ka më rrugë tjetër, veç asaj që dëftojnë shigjetat e fasadës së ngrehinës (që ka mbetur ....) të PS. “Palltot” politike të Edvinit, Gramoz Ruçi e Namik Dokle u veshën dhe filluan metodat enveriste për të spastruar me luftën e klasave të gjithë socialistët joedvinistë. Thirrja e Asamblesë Kombëtare të PS, pa njoftuar të gjithë anëtarët, duke filluar listat e diferencimit, është ajsbergu i spastrimit partiak të PS. Kjo është mendësia politike e “palltove” komunisto-socialiste të Gramoz Ruçit e Namik Dokles. Kot nuk mbijetuan politikisht figurat më të egra të komunizmit enverian, të cilët ishin gati të përgjaknin popullin shqiptar - sipas shembullit Çaushesk - për të mbrojtur diktaturën komuniste në Shqipëri në fundvitin e 1990.


Politikisht, a do t’i shërbejë të ardhmes të vetë PS-së thirrja urgjente e Asamblesë Kombëtare, të martën që vjen?


Kështu siç e gatuan Gramoz Ruçi e Namik Dokle, kuptohet. Nën udhët e nëndheshme partiake-ustallarë të metodave enveriste – Gramozi e Dokle manipulojnë opinione e kryesuesë të strukturave partiake të bazës me frymën e unitetit të Njëshit !


Diferencohen dhe përjashtohen që të mos jenë në Asamblenë (teatrale) Kombëtare të së martës të gjithë drejtuesit socialistë-të çfarëdo rëndësie partiake dhe të influencës e fjalës politike që kanë - të cilët guxuan dhe kërkuan publikisht që PS (dhe nënkuptonin vetëm kryetar Edi Ramën) të njohë ndershmërisht humbjen politike të 28 qershorit dhe partia në gjithësinë e saj të analizojë shkaqet e humbjes politike.


Të gjithë drejtuesit socialistë që guxuan dhe kërkuan haptazi dhe publikisht që Edi Rama të njohë humbjen dhe të pranojë që është shkaku i vetëm i humbjes politike të PS, i kishin të mbylluar të gjitha mundësitë e debatimit partiak brenda partisë. Të hënën Edi Rama do të “përkujdesohet “ të takohet paraprakisht me drejtuesit vendorë socialistë te ambjentet e “Xibraku”-t. Këtu fillon manipulimi politik i mendësisë edviniane.


Lind një pyetje e natyrshme. A mund të përballë tërmetin partiak që ka filluar lëkundjet sizmike antiedviniane një godinë e tërë partiake-sikurse është PS - e mbështetur në dy kolona enveriste, tek Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle? Asambleja Kombëtare është një çaire e supës ruçiste dhe një kongres që mund të mbahet në gusht-edhe pse i vetëcilësuar i jashtëzakonshëm nga ruçistët - do të jetë një akt teatral partiak i trupës edviniste. Asgjë më shumë.


Partia Socialiste kristalizon këto ditë atë çarje të brendshme, që shpërfytërojnë gjithë imazhin politik të saj. Partia Socialiste nuk mund të ekzistojë si deri më tani. Të gjithë së bashku: Socialistë, enveristë, bashkiakë dhe facebook-istë të “Mjaft”-istëve. Bashkekzistenca partiake me socialistë, enveristë, bashkiakë dhe facebook-istë kurrsesi nuk mund të kuptohet.


Gjithë ajo luftë klasore partiake - thika pas shpine nga kushdo kundër kujdoje - që ndodh tashmë në PS dëshmon se sa farsë politiko-partiake ishte uniteti i PS. Ky formacion u zhvesh nga cilado filozofi politike dhe deri tani mbizotëroi filozofia edviniste “Jam unë, pa jeni ju”. Hapi i parë i greminës të PS është të martën me Asamblenë evnveriano-ruçiste Kombëtare. Në atë AK do të ballafaqohen palët kundërshare brenda PS. Cilado palë partiake kundërshtare të mbizotërojë, nuk do të ketë as fitues dhe as të humbur.


Mbi rrënojat partiake të PS - që e shumta do të mbijetojë deri në gushtin e kongresit të jashtëzakonshëm – socialistët do të matin edhe thellësinë e greminës partiake.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›