E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Roja i ndërmarrjes ishte me Universitetin e Kembrixhit….

E nis këtë shkrim nga një barcoletë që qarkullonte në Shkodër, por që kishte të vërteten në brendinë e vet: Një ekip i Komitetit te Partisë kishte vizituar një ndërmarrje në qytet. Ndërmjet të tjerave, ata kishin këshilluar, që punëtorët duhet t’u nënshtroheshin kurseve të kualifikimit për t’iu përgjigjur cilësisë së prodhimit. Drejtori i ndërmarrjes kishte thënë (sigurisht në intimitet dhe për humorin shkodran), se edhe rojen e kemi me Kembrixh, pale te tjerët...  Personazhi në fjalë ishte Rexhë Meta, i biri i Maleve të Kosovës, i  mbetur jetim dhe i adoptuar nga shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Rose Wilder Lane. Ajo ka një jetë të pasur artistike, është autorja e dhjetra librave letrare e filozofikë, por mjaft e njohur edhe në publicistikë. Për të përshkruar jetën e saj duhet një studim i vecantë, por interesi ynë është të njohim atë pjesë, kur ajo erdhi ne Shqipëri dhe lidhjet e saj me Rexhë Metën. Për herë të parë Rose erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ajo ishte ngarkuar nga Kryqi i Kuq Amerikan të vezhgonte veprimtarinë e këtij misioni në Europë e Azi, pas ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, te cilat do te duhej t’i publikonte në Buletinin e Kryqit të Kuq. Në Shqipëri ajo erdhi me një grup punonjësish për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijve londinezë, të dëbuar me forcë nga serbët. Ata punuan me përkushtim në emër të “Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”. Udhëtimin e parë e bëri në Veri të Shqipërisë, në Luginën e Shalës me qëllim për të hapur një rrjet shkollash në ato zona të thella. Grupin e shoqëronte edhe një djalë i ri i quajtur Rexhë Meta, i cili kishte ardhur me prindërit në Shkodër, pas dëbimeve masive. Vuthjani i vogël shpejt mbeti jetim dhe u mor nën mbrojtjen e Kryqit të Kuq Amerikan, i cili vepronte në Shqipërinë e Veriut. Ai në grupin e fëmijëve refugjatë ishte i dalluar, pasi në një kohë rekord kishte mësuar anglishten, paçka se nuk i ishte dhënë mundësia të vazhdonte rregullisht shkollën. Si përkthyes i Rose-s, ai e ndiqte hap pas hapi atë, sidomos në atë terren të veshtirë të Shalës ku nje ditë  asaj i rrëshqiti këmba dhe desh ra në humnerë, por guximi i djalit ia shpëtoi jetën. Rose ndihej e obliguar ndaj të riut Rexhë dhe i ofroi edhe një ndihmë me para. Ai, krenar sic ishte, i refuzoi duke i thënë: “Ju jeni gazetare, shkruani tani edhe për Shqipërinë!” (marrë nga Bora Meta, vajza e Rexhë Metës). Rose, e mahnitur nga sjellja fisnike e djalit, e adoptoi dhe e afeksionuar pas të birit bëri çmos që ta shkollonte. Fillimisht ajo e regjistroi në Shkollën Teknike Harry Fulltz, ku ai habiti personelin mësimor për arritjet e shpejta në të gjitha lëndët. Pastaj ajo vazhdoi të investonte për te edhe kur ai ishte student në Universitetin e Kembrixhit, ku emri i tij ështëi shkruar në Librin e Artë të këtij Universiteti. Ndërkohë Rose shkonte e vinte në Shqipëri dhe me lidhjet shpirtërore që kishte, vendosi të jetonte përgjithmonë në Tiranë, ku ajo ndërtoi dy shtëpi, një për vete dhe një për familjen e Rexhës, tashmë i martuar. Rose gëzonte se vajza e Rexhës mbante emrin BoraRose, që ajo ta kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.

Ngjarjet e luftës së dytë botërore i rrokullisen ëndrrat e Roses. Autoritet fashiste e internuan Rexhën me familje në kampet e përqendrimit në Itali si antifashist.b Më vonë, si anëtar i Lidhjes së Dyte të Prizrenit në Shkodër, komunistët e arrestojnë, nga ku ai  provoi kalvarin  e gjatë të vuajtjeve çnjerëzore. Rose e ndjeu shumë arrestimin e te birit nga komunistet, pasi kishte dëgjuar shumë për terrorin bolshevik, bile e kishte njohur nga afër, pasi qe me mision edhe në vendet e B.Sovjetik. Ajo bëri të gjitha përpjekjet për ta  shpëtuar djalin e saj, deri edhe te presidentet e Amerikës. Ajo i shkroi Bess Truman (gruaja e presidentit në ate kohë) dhe Herbert Hoover (ish-pres. i Amerikës)  për ta tërhequr djalin e saj nga Shqipëria. Pas shumë ndërhyrjesh, takimesh e letrash me personalitete të larta të politikës amerikane, Rose u këshillua nga familja e Rexhës që të mos vazhdonte ta kërkonte ate haptazi, pasi familja do të kishte edhe më shumë konseguenca. Atëhere Rose, ndoqi rrugën indirekte për t’u lidhur me gruan e Rexhës, Pertefen, e cila kishte studiuar tek Motrat Stigmatine. Përveç burgut të rëndë të burrit, asaj i kishin pushkatuar edhe vëllanë e vetëm, Bardhosh Danin. Kështu Rose, e tmerruar nga këto ngjarje, vuri në lëvizje miqtë e vet të Kryqit të Kuq që vepronin në Europë dhe mundi kështu të hynte në lidhje me familjen e Rexhës. Rose, derisa vdiq, nuk pushoi se kërkuari djalin e saj, sigurisht në mënyren më të fshehtë. Kur po i afrohej fundit te jetës, me 1968, ajo ia la amanet djalit te dytë të adoptuar, amerikanit Raxh (Roger Mac Bride) që të mbante lidhjet me familjen e vëllait në Shqipëri. Ishte viti 1990, kur Raxh mundi ta plotësonte amanetin e nanës Rose. Ai mundi të hynte në lidhje me vajzën e Rexhë Metës,  Bora Rosën dhe arriti ta tërhiqte me familje nga Italia, ku ajo ishte refugjate dhe e vendosi në Florida ku ajo jeton edhe sot.

Te gjitha, çfarë Rose ka parë dhe ka përjetuar  në Shqipëri, ajo i ka përshkruar ne veprën e vet “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) dhe në përmbledhjen e artikujve “Albanian Garden”. Vlen per t’u përmendur që edhe vepra e saj madhore “The discovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë) e ka marrë frymëzimin nga një ngjarje që ajo e përjetoi kur ishte me mision ne Malësitë e Veriut.

Shkrimet e saj janë   një dëshmi e gjallë për historinë e popullit tonë. Veprat e Rose Wilder Lane asnjëherë nuk u bënë të njohura gjatë periudhës së diktaturës. Ato nuk kishin më pak vlerë se ato te Durhamit, të Bajronit e të tjerëve të huaj që lartësuan vlerat e kombit tonë, kështu që edhe ajo s’i shpëtoi luftës së klasave. Por sot duhet evidentuar kontributi i Rose per Shqipërinë e shqiptarët, për ta përjetësuar me emrin e një shkolle, të një institucioni humanitar, të një sheshi a rruge që t’i mbetemi mirënjohës veprës së saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›