Muri s’luan, burreci luan!
“Nuk ka më keq se kur njeriu fillon të ketë frikë nga e vërteta” - L.N.Tolstoi -
S’ka më keq për delirantin se humbja e iluzioneve. Mitománi nuk njeh kundërshtarë. Narcizistit i mjafton dashuría për veten. Mos, vallë, prandaj Rama nuk beson të ketë fituar “Aleanca e Integrimit”? Se ai e paracaktoi fitoren e vet, që kur deklaroi “Politikën e re”? Megjithatë, duke qënë mes njerëzish primitivë, pranoi t’i nështrohej ankimimit. Por, kur e nxorrën përsëri humbës, të gjithë iu dukën kompllotistë. A nuk sundoi komunizmi me dekada pa kundërshtarë? A nuk i zhduku ai “armiqtë imagjinarë” vetëm pse shprehnin dyshim për fitoren e tij ? Por ai të lehtë , se i zgjidhte problemet me kopaçe. Kurse Ramës i duhet të ndeshet edhe me “budallenjtë” e partisë së vet. Se ka midis tyre që besojnë vërtet se PS-ja i ka humbur zgjedhjet! Ka, bilé, naivë që pranojnë verdiktin e insitucioneve. Madje, ka që kërkojnë të sillen demokratë duke i sugjeruar Ramës dorëheqjen. Me një fjalë, t’ia lënë atij “kopilin” në derë. T’i mbajë ai, misionari, gjithë përgjegjësitë e dështimit të ideve të veta gjeniale. Të lëpijë, pra, Rama ato që ka pështytur. Të mohojë shpifjet e “argumentuara”. Të mallkojë nihilizmin e tij konstruktiv. Të durojë edhe katër vjet të tjera në opozitë! Medet ! E pse ? Sepse disa të majtë s’paskan ditur të votojnë. Disa komisionerë të tij na qënkan mburrur me ndershmërinë e gomarit. Jo! Kjo humbje nuk mund të vërtetojë se zgjedhjet kanë qënë të rregullta. Se Ramën, kudo që ka shkuar, e kanë pritur me entusiazëm. A nuk ishin pjesë e sovranit gjithë ata që e duartrokitën pa u lodhur? Ç’t’u thotë taní Rama këtyre? Që janë tallur me të? Apo që vetë Rama paska qënë një hiç hiçi? Një mashtrues e gënjeshtar? Një shpifës? Një mburravec ? Jo!Jo! Nuk mund të jetë kjo tabloja e këtyre zgjedhjeve. Vetëm tradhëtarët mund të njohin një fitore të tillë të kundërshtarit. Vetëm disfatistët mund të mendojnë për dorëheqje. Vetëm të shiturit mund t’i kërkojnë një misionari të largohet nga devocioni i tij. Por befas u kthjellua për një çast. U kujtua se demokracia ka zot ligjin. Se dhe vetë kishte pranuar që, në rast dështimi, drejtuesi i partisë duhej të dorëhiqej. Se kishte premtuar t’i bashkonte gjithë të majtët ( Kurse i bëri “thërrime”! ). Iu kujtua dorëheqja e liderëve të majtë pararendës. Dhe ra në të thella. Ndaj thirri për konsultim ca shokë të betuar, ca mercenarë me kontribute, ca avoketër të “hurit e të litarit”. Thirri, pra, gjithë aristokracinë e tij të shpifjes e të mashtrimit, të servilizmit e të idolatrisë ndaj kujtdo, që u kish mbushur xhepat. Dhe, pasi nuk la puthadorë pa thirrur, i pyeti se ç’i duhej të bënte. Si ta menaxhonte situatën. Si të mohonte ç’kishte pohuar dhe të kundërtën. Si të “justifikonte”, pra, qëndrimin e mëtejshëm në krye të një partie që vetë e kishte lënë, madjé, pa shpresë. Dhe mafiozët e ndihmuan. Të gjithëve paraja e humbur u ndriçonte trurin. Por më shumë nga të gjithë mendime të vyera i dhanë biznesmenët e fuqishëm, gjithë sekserët, por dhe ca avokatë, që kishin lozur rolin e “kadiut”. Dhe u çudit me argumentet e atyre, që kishin lënë qimet e kokës për fushatën zgjedhore. Ndaj mori zemër dhe zuri t’u bënte pyetje të forta. Në fund, u bind se ata kishin të drejtë në dinakëritë e tyre. Sidomos, kur e këshilluan të mos i njihte zgjedhjet, sepse, kështu, nuk e kapte neni i rregullores së dorëheqjes. “Qerratenjtë!” - tha i kënaqur. Por u mahnit, kur dëgjoi këshillën për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila duhet të përgatisë fët e fët Kongresin. Këtu Rama u ngut pak duke bërë ca pyetje naive. Kurse “ustallarët”, që prisnin borxhet, i thanë se ustai duhet “të mbajë shumë vegla me vete”. Ata që kishin bërë shtambën, kishin ditur të sajonin edhe vegjen. Pra, në Asamble do të thirreshin vetëm të besnikët e Ramës. Kurse në Kongres do të miratohej një “Deklaratë” e parapërgatitur. Ndërsa, kur Rama shprehu dyshimin se nuk i njihte të gjithë kundërshtarët, d.m.th. “armiqtë e brendshëm”, lakejtë qeshën me naivitetin e këtij Xhaferri”, që e kishte humbur kaq keq simiten. Dhe i kujtuan rastin se si iu shmang Enver Hoxha Zhukavit, të dërguar për shkarkimin e tij. Si i kishte porositur “langojtë” ky nastradin t’i sillnin në Kongres ca “idiotë”, ca kongresmenë që të mos dinin nga lidhej gomari. Si qenë porositur këta barinj lopësh të ulërinin me minuta të tëra vetëm: “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!” dhe “Enver Hoxha!”, “Enver Hoxha!”. Ndërsa, kur “qoftëlargu do të bënte gjeste t’i ndërpriste, porosia qe që klithmat e tyre të fuqizoheshin më tepër e të mos pushonin kurrë. Delegacionet e Lindjes u tërbuan. Të gjithë u larguan të fantaksur nga ky entusiazëm i çmendur. Zhukovi u shkarkua nga detyra qysh në avion. Kudo u përhap lajmi se Enver Hoxhën nuk kishte burrë nëne ta shkulte nga posti i Sekretarit të Parë të P.P.Sh.-së!...
Prandaj - thanë ustallarët - po të krijohet një atmosferë e tillë, nuk do të ketë njerí kurajë të kërkojë largimin e një kryetari liberal e diktator si ti ! Dhe, kur Rama deshi të sigurohej për këtë rezultat duke thënë se autori kryesor i hartimit të nenit të dorëheqjes qënkësh ai vetë, iu përgjigjën shkurt :”Muri s’luan, burri luan !”. Kurse Rama kishte frikën e reagimit të elektoratit. Atë të dëmtimit të imazhit të Shqipërísë. U druhej “liberali” mendimeve të pavarura, që po shtoheshin brenda partisë. Kishte frikë nga drejtuesit me kontribute, nga militantët fanatikë, nga fermerët e mbetur pa tapí, e tj. Por më shumë dridhej nga borxhlinjtë, që, për paratë e hedhura në fushatë, mund ta rripnin edhe nga këmbët. Mirpo, me t’u kujtuar se mafiozët i kishte përballë, u tha ta mësonin si të vepronte, nëse do t’i kërkonin hesap. Dhe përgjigjja nuk vonoi t’i vinte e gatshme se duhej të hiqte dorë nga “Politika e re”, nga votimi “përtej së majtës e së djathtës”. Pastaj të mbante fort bashkinë, të shkundëte pak xhepat e vet dhe të zbatonte tri parrullat e vjetra. E para :”Pa korrupsion, s’ka zhvillim!”. E dyta: “Nuk ka kalá që s’e marrin komunistët!”. Dhe, e treta: “Nuk jap dorëheqje pa hipur gomari në fik!”. Kurse Rama pyeti: “Po sovrani!? Sovrani që po ligjëron fitoren e “Aleancës së integrimit”?
Këtu “kokat” heshtën, duke parë humbësin në sy. Ndërkohë u dëgjua vetëm një mërmërímë: “Zoti të nxjerrtë në selamet!”...
...