E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e dekretuar, jo kandidatë

Anëtarët e opozitës pritet të argumentojnë se 6 gjyqtarët e presidentit nuk kanë statusin kandidatë dhe si të tillë nuk mund të shqyrtohen

Shqyrtimi i 6 gjyqtarëve të dekretuar nga presidenti Bamir Topi për Gjykatën e Lartë pritet që të shkaktojë shumë debate dhe kundërshtime mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve. Anëtarët e opozitës duket se do të përdorin ndryshimet e reja të Rregullores Parlamentare për të argumentuar qëndrimin e tyre. Përcaktimi “kandidat” për gjyqtarët e dekretuar nga presidenti Bamir Topi pritet që të jetë “molla e sherrit”. Sipas deputeti socialist Arben Malaj, gjyqtarët e dekretuar nga presidenti nuk janë kandidatë për Gjykatën e Lartë por janë të dekrete emërimi pasi janë 6 gjyqtarë për 6 vende të lira që janë në Gjykatën e Lartë. “Dallimi thelbësor është fakti nëse ata dërgojnë një dekret emërimi, çka nënkupton që këto institucione duhet të realizojnë të gjithë procesin e gjykimit të plotësimit të kushteve dhe rasti i dytë kur institucionet si parlamenti, qeveria dhe presidenti dërgojnë kandidatë potencialë për këto vende” tha deputeti Malaj për median. Sipas opozitës, shqyrtimi do të mund të bëhet për rastet e tjera, kur për një post janë dy ose më shumë kandidatura, siç është edhe rasti më i fundit, ai i Inspektoriatit të Pasurive  ku presidenti Topi dekretoi dy emra për një post. Pavarësisht qëndrimit të anëtarëve socialistë, që pritet që këtë argument t’a përdorin gjatë diskutimeve për dekretet në Komisionin e Ligjeve, Partia Demokratike pritet që të mos ndryshojë qëndrim dhe të nisë seancat dëgjimore me secilin prej gjyqtarëve. Deputeti demokrat i Komisionit të Ligjeve,Dashnor Sula thotë për “Korrierin” se shqyrtimi i gjyqtarëve do të bëhet sepse kështu e përcakton edhe rregullorja e re. I pyetur për qëndrimin e socialistëve, ai thotë se “opozita votoi pro ndryshimit të rregullores parlamentare dhe në rast se nuk donte shqyrtimin e dekreteve mund të kishte votuar kundër saj”. Deputeti Sula thotë gjithashtu se pavarësisht argumentave që e kundërshtojnë këtë, tashmë rregullorja e Parlamenti përcakton që dekretet do të kalojnë për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve, ku do të zhvillohen edhe seancat dëgjimore për secili prej gjyqtarëve të dekretuar. Ai thotë se seancat dëgjimore do të bëhen patjetër, pavarësisht kundërshtimeve që mund të ketë sepse tashmë kështu e përcakton edhe rregullorja e re e Parlamentit.  Debatet për statusin e gjyqtarëve, nëse ato do të konsiderohen “kandidatë” apo “dekrete emërimi” pritet që të sjellin shqyrtimin e dekreteve vetëm nga ana e deputetëve të mazhorancës, në rast se nuk arrihet një marrëveshje mes palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›