E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tmerr në plazh, vdes shtatzëna

Qëndrimi i gjatë nën diell i mori jetën dje një 27-vjeçareje e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzanisë

VLORË – Kishte shkuar në bregdetin jonian për të bërë 1 javë pushime, pa e menduar me siguri në asnjë moment se mund t’i kanosej ndonjë rrezik asaj vetë apo dhe bebes që rritej prej 7 muajsh brenda saj. Vdekja e papritur e një gruaje 2 muaj para se të mbyllte shtatzëninë për disa orë ngriti në këmbë policinë e Vlorës paraditen e djeshme, e cila hetoi vdekjen e dyfishtë të gruas e bebes, që nuk u arrit dot të shpëtohej pas kolapsit të nënës. Frika e ndonjë vrasje të mundshme, apo vetëvrasje u shuajt vetëm pas hetimeve dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Sipas burimeve policore rezulton se vdekja e 27-vjeçares nga Elbasani ishte për shkak të pakujdesisë së saj, qëndrimit të gjatë në diell, gjë që dyshohet se i ka shkaktuar një infarkt që i kushtoi jetën.

Ngjarja

Eriona Bishani, 27 vjeçarja, nga qyteti i Elbasanit, e cila kishte shkuar për të pushuar në Vlorë po bënte plazh në zonën e Rradhimës, së bashku me familjarë të saj kur i kanë filluar problemet shëndetësore. Pikërisht në momentin kur gruaja në muajin e shtatë të shtatzënisë po dilte nga deti, ka rënë menjëherë pa ndjenja. Ajo është transportuar për në spitalin rajonal të Vlorës, e shoqëruar edhe nga familjarë, por me gjithë ndërhyrjet nga mjekët e repartit të urgjencës, 27 vjeçarja Eriona Bishani, ka ndërruar jetë.

Hetimi 

Ajo është çuar më pas në morgun e spitalit rajonal të Vlorës, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Mësohet se Bishni ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhe se dje ajo e kishte ditën e parë në plazh. Sipas burimeve policore, të cilat kanë marrë dhe vlerësimin e ekspertëve mjeko-ligjor, dyshohet se ka qenë qëndrimi i gjatë në diell, shkaku i vërtetë i komplikacioneve kardiake që ka pasur e reja. Ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë në pah se shkak i vdekjes së saj kanë qenë pikërisht një infarkt.

Eriona Bishani kishte mbërritur në Vlorë me të afërmit e saj për të kaluar një javë pushime, ndërsa ajo nuk ka mundur t’i rezistojë diellit dhe temperaturave të cilat i kanë dhënë komplikacione për shkak edhe të shtatzënisë, duke i marrë kështu jetën.

Vdekja e saj ka qenë për shkaqe natyrore, ndërsa nuk kanë figuruar në trup shenja dhune. Trupi i pajetë i të resë është tërhequr nga morgu i spitalit të Vlorës nga familjarët e saj mesditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›