Në një burg me vrasësin e të birit

PESHKOPI - Dje rreth orës 17 u zhvillua seanca gjyqësore për përcaktimin e masës së sigurisë për Ylli e Syri Çengën, të akuzuar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Dibër për “tentativë vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Nën masa mjaft të rrepta sigurie dhe pa praninë e medieve është zhvilluar një seancë e shkurtër gjyqësore, ku kryetarja e trupit gjykues, Altina Nasufi ka dhënë masën e “arrest me burg” për vëllezërit Ylli e Syri Çenga. Prokurori i çështjes ka kërkuar këtë masë sigurie, duke argumentuar se me datë 15 korrik, rreth orës 18, shtetasi Ylli Çenga, banues në qytetin e Peshkopisë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Jetmir Xhediku, banues në të njëjtin pallat me Çengën, në lagjen “Kamen” të këtij qyteti. Prokuroria këmbëngul se ka siguruar provat e mjaftueshme që Ylli Çenga duhet të qëndrojë në burg pa afat, ndërkohë avokati i tij mbrojtës Ismail Uka ka kundërshtuar pretencën e prokurorisë dhe vendimin e gjykatës së faktit Dibër. “Vendimi është i padrejtë dhe ne do të apelojmë atë në shkallë të tjera të gjyqsorit shqiptar. Prokuroria, sipas Ukës, nuk ka siguruar prova të plota që Ylli Çenga të ketë shtënë me armë zjarri mbi shtetasin Jetmir Xhediku. Arma për të cilën akuzon shtetasi Xhediku nuk ekziston dhe akuza e ngritur ndaj Ylli Çengës është thjesht një trillim i familjes Xhediku”. Menjëherë pas vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër, vëllezërit Çenga janë transportuar nën masa të forta sigurie nga qyteti i Peshkopisë, për në burgun e qytetit të Burrelit, aty ku është izoluar nga drejtësia edhe 20 vjeçari, Shpëtim Ziza, i akuzuari i vetëm për përdhunimin dhe vrasjen e 10 vjeçarit Bekim Çenga. Për tri ditë vëllezërit Çenga qëndruan në dhomat e paraburgimit në komisariatin e policisë Dibër, ndërkohë pas vendimit të gjykatës ata janë izoluar në burgun e Burrelit.