E thërret Vetëvendosjen që të heqë dorë nga protestat

Po japin të plotë deklaratën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga:
Ajo që ndodhi më 14 janar të vitit 2012 gjatë protestave së Lëvizjes “Vetëvendosje” për bllokimin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë nuk është një pamje e mirë dhe reale për Kosovën.
Një situatë e tillë që po ndodh në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese të vendit rrezikon ta kthejë Kosovën prapa, në përpjekjen e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike. Ndërtimi i një shteti të bazuar në respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë është synim konsensual i shoqërisë sonë, i arritur falë angazhimit dhe sakrificës të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim.
Unë si Presidente e vendit e kam shprehur qëndrimin, që përpara demonstratave, se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale dhe se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore. Veprimi institucional është mënyra e vetme dhe më e mirë për adresimin dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve.
Të gjitha institucionet, të gjitha subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar të respektojnë dhe të zbatojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Vetëm në këtë mënyrë ne e arrijmë sundimin e rendit dhe të ligjit, duke qenë një vend demokratik që në rrugën e integrimeve euroatlantike zbaton standardet e larta të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë publike dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave, vlera këto evropiane që garantohen edhe me Kushtetutën e Kosovës. Unë e mirëpres thirrjen e Qeverisë së Kosovës për vlerësimin e veprimeve të Policisë së Kosovës në ditën e protestës që do të mundësojë qartësimin e situatës së krijuar.
Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, si faktor uniteti i vendit, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të kontribuojnë në demokratizimin e shoqërisë tonë, të respektojnë rendin dhe ligjin dhe të marrin pjesë aktivisht në përmbushjen e standardeve të cilat e sigurojnë rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik.
I bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog.
E thërras Lëvizjen Vetëvendosje që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave.
Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare dhe të mos bllokojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në asnjë cep të Republikës së Kosovës.
Kosova dhe qytetarët e saj kanë treguar shkallë të lartë të vetëdijes dhe të veprimeve demokratike, përkushtim ndaj sundimit të rendit dhe respektimit të ligjit. Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara duke i përmbushur obligimet e veta që dalin nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare. Vendi ynë është përkushtuar të zbatojë politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit.