Rruga e Ilirit
Shumëkush ia kishte parë për të madhe angazhimin në Presidencën e Kosovës në prill të vitit të kaluar.
Por, partia e tij, Fryma e Re nuk kishte arritur të etablohej në skenën politike në zgjedhjet e fundit dhe duket se për Ilir Dedën nuk kishin mbetur shumë zgjedhje.
Ai gjithnjë e më shumë po konsiderohej si njëri nga njerëzit që me lehtësi u bë pjesë e pushtetit në vend, edhe pse në cilësinë e Këshilltarit kryesor në Presidencë shpesh e kishte shprehur mendimin e vet mjaft kritik për zhvillimet në vend.
Por, edhe pse kohëve të fundit emri i Dedës është përmendur për poste të ndryshme, ai thotë se do të kthehet aty ku kishte qenë më parë në –Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave –KIPRED, pasi konsideron se aty mund të japë kontribut më të madh për vendin.
Pavarësisht kësaj, në një intervistë të shkurtër për Express përmes postës elektronike, Deda thotë se është marrë vesh me Presidenten Jahjaga që ta përkrahë në punën e saj.
Express: Cilat janë arsyet e largimit tuaj nga Presidenca?
Deda: Nuk ka ndonjë gjë spektakulare në vendimin tim për largim nga Presidenca. Thjesht, konsideroj se rrethanat në të cilat gjendej Kosova në pranverë të vitit 2011 kanë ndryshuar. Atëherë Kosova ishte në krizë të madhe, në një izolim ndërkombëtar dhe e përballur me humbje të besimit në Kosovën në përgjithësi te partnerët tanë ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga e ndryshoi këtë imazh për Kosovën dhe tani gjendemi në rrethana tjera, më të volitshme. Ju e dini se atëherë flitej për një mandat maksimal 12 mujor të Presidentes, derisa të bëheshin ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit/Presidentes. Edhe kjo rrethanë ka ndryshuar. Në përgjithësi në atë kohë duhej të tregohej se në Kosovë ka mundësi të ndërtohet një institucion më i lartë shtetëror pa korrupsion dhe me vizion për vendin dhe të çahej izolimi ndërkombëtar. Konsideroj se kjo është arritur. Tash mendoj se me ndryshim të rrethanave, edhe mandati im përfundon, pasi që nuk ka nevojë më për angazhimin tim në Presidencë. Kështu që kam vendosur të kthehem në sektorin joqeveritar, ku kontributi im do jetë më i madh në rrethanat e reja të krijuara në Kosovë.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...