E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjetori i pavarësisë i bën bashkë shqiptarët

Me një seancë të veçantë, të martën në Kuvendin e Shqipërisë, kanë nisur aktivitetet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të institucioneve e përfaqësues partish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe përfaqësues të korit diplomatik në Tiranë.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në fjalën e saj tha se shqiptarët celebrojnë ditëlindjen e madhe kombëtare.

“Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit të finalizuar në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para 1444 dhe 1912 për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës. Gjatë Rilindjes para dhe gjatë lidhjes së Prizrenit, e më pas për të mbërritur tek dita e flamurit përpjekjet ishin të mëdha. Ideali dhe qëllimi i shenjtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve. Feja e shqiptarëve është Shqiptaria, Pasko Vaso i parapriu shekullarizimit me këtë shprehje”, tha Topalli, duke e cilësuar historinë e krijimit të shteti shqiptar si histori gjaku dhe djerse për ato që e jetuan dhe përcaktuan të ardhmen e shqiptarëve.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalën e tij ka thënë se përvjetorët e këtillë, aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli, në sfondin e vet përmbajnë shkaqe, shkase e motive për kujtesë e kujtime, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjë atdhedashurie.

“Pa pretenduar të bëj historinë e ngjarjes madhore, zaten ngjarjet e mëdha të historisë së një populli e bëjnë vetiu historinë, nuk kam sesi të mos them se 28 Nëntori i 1912-ës, kapërcen atë që quhet kthesë, atë që quhet nyje. Në jetën e shqiptarëve ajo është epoka e epokave, pika që ndan mileniumet”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se në këtë përvjetor jubilar, s’ka arsye dhe ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë njerëzore.

“Për jetë të jetëve Shqipëria “...më vehte, e lirë dhe e mosvarme”, ka përfunduar fjalimin e tij Krasniqi.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se sot përfaqësues nga mbarë trevat shqiptare mblidhen në ditën kur prijësi i vendit mbylli sytë.

"Jemi mbledhur në ditën kur mbylli sytë prijësi i vendit, Skënderbeu, në një akt të madh nderimi ndaj atij të cilit i detyrohemi ekzistencën e kombit shqiptar. Ne jemi mbledhur si përfaqësues të të gjitha trevave për të festuar fillimin e 100 vjetorin e pavarësisë. Këtë ngjarje ja dedikojmë faktit që ne në çdo kohë, në çdo fortunë qëndruam së bashku, thellë në shpirtin, zemrën dhe aspiratën e shqiptarëve. Thellë në shpirt qëndron parimi një komb, një qëndrim, asgjë nuk mund të ndajë shpirtin e një kombi, trupin po. Lavdi Zotit ne vijmë të lirë në sallë se qëndruam së bashku”, ka thënë Berisha.

Kryeministri shqiptar ka thënë se një nderim i madh në këtë ditë i takon plakut të urtë të Vlorës, i cili u shpreh kundra qëllimit të tryezave botërore për fshirjen e shteti shqiptar nga harta.

Berisha theksoi në fjalën e tij se kontribut të çmuar dhe të madh për konsolidimin e shtetit shqiptar ka dhënë edhe Ahmet Zogu.

"Do kujtoj emra të ëmuar që kontribuan, për pavarësinë, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Ahmet Zogu, sepse në mënyrë të veçantë për përpjekjen për konsolidimin e shtetit shqiptar dha ndihmesë të madhe, dhe ky është Mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu”, ka thënë Berisha duke shtuar se ky është një shekull i përpjekjeve dhe sakrificave tona të mëdha mbarëshqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në vende të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›