E Diel, 1 Nëntor 2026

E torturoi burri, vdes pas katër ditësh 64-vjeçarja

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

E torturon i shoqi në mënyrë barbare, vdes pas katër ditësh në spitalin e Tiranës. Lizheta Mici nga Berati, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra si pasojë e dhunës së vazhdueshme të bashkëshortit të saj. Gruaja 64 vjeçe ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza” pas masakrës së ndodhur në shtëpinë e saj. Megjithë përpjekjet e bluzave të bardha, Mici nuk mundi t’u bëjë ballë plagëve e frakturave. Nëna e tre fëmijëve, nga lagjja “Kushtrim” u gjet nga vajza e saj pa ndjenja në banesë. I shoqi pasi e kishte torturuar në mënyrë çnjerëzore e kishte braktisur atë, duke e lënë të dergjej e vetme. Dyshohet se ai kishte menduar se gruaja kishte vdekur, ndaj ishte larguar nga frika e arrestimit. Nuk dihet se sa ditë kishte qëndruar në atë gjendje 64-vjeçarja, pasi ajo është gjetur vetëm kur njëra nga vajzat e saj kishte shkuar për t’u interesuar për të dhe të atin. Por në banesë kishte gjetur nënën pothuajse pa jetë. Megjithë përpjekjet e saj, e moshuara nuk ka qenë në gjendje të thotë asnjë fjalë, për t’i shpjeguar çfarë kishte ndodhur. Vajza dha alarmin. Ajo e dërgoi nënën e saj menjëherë në spitalin e Beratit, ndërsa u njoftua edhe policia. Kjo e fundit, pas hetimeve të kryera arriti të lokalizojë vendndodhjen te disa të afërm të tij të bashkëshortit të së dhunuarës, të cilin më pas e arrestuan. Kopi Mici u prangos për plagosjen e gruas së tij nëpërmjet dhunës. Por tashmë pritet të ndryshojë akuza ndaj tij, nga plagosje në vrasje. Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë, kur 64-vjeçarja mbërriti në spital nga të afërmit e saj thuajse pa jetë. Mjekët e Beratit, kur panë gjendjen e gruas vendosën ta nisnin në Tiranë pasi ajo rrezikonte të humbiste jetën. I gjithë trupi i saj ishte i mavijosur nga goditjet barbare të 65-vjeçarit. Por megjithë ndihmën e dhënë, mësohet se nëna e tre fëmijëve ka ndërruar jetë gjatë natës së të hënës. Policia bëri të ditur se trupi i të ndjerës i është nënshtruar ekspertizës përkatëse ndërsa sot do t’i jepet lamtumira e fundit. Mësohet se 64-vjeçarja kishte qenë viktimë e herëpashershme e dhunës në familje nga bashkëshorti i saj.

KORÇË
Vetëmbytet në lumë për shkak të depresionit nëna e tre fëmijëve. Vera Doçe, 42 vjeçe nga fshati Belorta e Korçës, u gjet në ujërat e lumit Dunavec. Ajo kishte tre dy ditë që ishte larguar nga banesa, kur një e moshuar kishte vënë re trupin e saj në lumë dhe lajmëroi policinë. Kjo e fundit arriti të gjejë trupin rreth orës 16:30 të së hënës. Bashkëshorti dhe fëmijët deponuan se viktima kishte disa muaj me depresion dhe kishte marrë edhe mjekime. Para ca kohësh ajo mbante me vete një copë litari, të cilën ia gjetën fëmijët dhe ia hoqën. Ditët e fundit kishte tentuar të largohej nga shtëpia, por familjarët e ruanin dhe nuk e lejonin të dilte nga banesa. Por mëngjesin e 20 qershorit, ajo ka mundur t’u shpëtojë syve të tyre e të largohet duke u vetëmbytur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›