Grabitja dhe vrasja e kambistit, i dyshuari mohon akuzat në polici
TIRANE - Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e kambistit Astrit Cubaj ndodhet i arrestuar. Policia e Tiranës ende nuk ka prova të mjaftueshme që të vërtetojë pjesëmarrjen e tij në vrasjen e të dielës. I arrestuari për një krim tjetër të ndodhur te “Komuna e Parisit”, i cili prej dy ditësh është arrestuar për kallëzim të rremë, pasi ka sajuar ngjarjen për të cilën denoncoi në polici, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e së dielës. “Kam qenë në punë gjatë gjithë kohës. Nuk kam lëvizur nga mëngjesi i së dielës dhe deri në darkë vonë”, mësohet të ketë deklaruar ai para oficerëve të policisë. Ndërkohë sipas burimeve nga policia mësohet se ai është i dyshuari kryesor për këtë vrasje, pasi në makinë, por edhe në rroba dhe në trupin e tij janë gjetur shenja e gjurmë kompromentuese. Ndërkohë derisa nuk mund të gjendet një person që të konfirmojë prezencën e tij në ambientet e punës gjatë gjithë ditës së diel, policisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të marrë për bazë dëshminë e të arrestuarit. Edhe nëse i dyshuari nuk mund të jetë përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen e kambistit Astrit Cubaj, për policinë një gjë është mjaft e sigurt, që makina e tij është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Përveç deklarimeve të dëshmitarëve që flasin për largimin e autorëve me një makinë të ngjashme me atë të personit të dyshuar, në automjet janë gjetur edhe disa prova mjaft të rëndësishme që e implikojnë atë në vrasjen e 40-vjeçarit ditën e diel te “Komuna e Parisit” në Tiranë. e.d