E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët për zgjedhjet:LSI, faktor kyç për qeverinë e re

 

Presidenti i Qendrës Strategjike Europiane dhe Inteligjencës (ESISC) Claude Monique, dhe Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet Ballkanike (IFIMES) në një analizë të tyre për situatën parazgjedhore në Shqipëri shprehen se LSI mbetet faktori kyç për krijimin e qeverisë së ardhshme. “Pavarësisht dy partive kryesore që garojnë për këto zgjedhje, PD dhe PS, faktori kyç në formimin e qeverisë së re dhe i cili do të përcaktojë fitoren e 28 qershorit është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e saj. Skenari më i mundshëm në këto zgjedhje do të ishte një koalicion mes liderëve të PS-së, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta. Nëse do të jetë kështu, atëherë do t’i vinte fundi kohës së Sali Berishës dhe ironikisht ky do të ishte ndryshimi i radhës për Shqipërinë”, shprehen dy institutet studimore në analizat e tyre. Sipas Claude Monique, kur mbeten më pak se një javë nga zgjedhjet e përgjithshme elektorale, klasa politike në pushtet vazhdon të pretendojë dhe të premtojë ndryshim. Për më tepër, në emër të “ndryshimit” dy partitë kryesore, ajo Socialiste dhe Demokratike institucionalizuan bipolarizimin e sistemit elektoral. Institutet e njohura japin opinionin e tyre dhe për Partinë Socialiste. “Edi Rama nuk ka dhënë ende dorëheqjen e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke ndjerë frikën e humbjes së zgjedhjeve, ndërkohë që dhe ai ndryshimin e shikon tek puna e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës”, shprehet në analizën e tij IFIMES. Claude Monique shprehet se probleme ka pasur dhe me listat e partive. “Listat e deputetëve kanë mangësi të liderëve historikë si Fatos Nano nga PS-ja dhe largimi i Aleksandër Biberaj, Preç Zogajt dhe Besnik Mustafajt nga PD-ja”, shprehet Monique.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›