Sherr me thika në internet-kafe
Një 22-vjeçar mbeti i plagosur me biçak pas një sherri me dy vëllezër për lojën në kompjuter.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:00 në një internet-kafe, pranë zonës së njohur si “Fresku” në Tiranë. Shpresim Hasa është sulmuar nga dy vëllezër, banues në fshatin Qesarak, të cilët më pas ata e kanë qëlluar viktimën dy herë me biçak. Hasa është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe pas ndihmës së parë mjekësore ai është rikthyer në shtëpi, pasi plagët kanë qenë të lehta. Policia e Komisariatit nr. 4 dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë vënë në ndjekje të autorëve. Në vendin e ngjarjes janë pyetur disa dëshmitarë, të cilët kanë sqaruar rrethanat si ka ndodhur sherri. Sipas burimeve nga policia mësohet se plagosja e 22-vjeçarit ka ndodhur pas një debati për lojërat kompjuterike. Në momentin që Shpresim Hasa ka qenë duke luajtur në një kompjuter në internet-kafe është futur njëri nga vëllezërit, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur dhe i ka kërkuar që t’i lirojë vendin që të luante ai, pasi në atë moment nuk kishte asnjë kompjuter të lirë. Kërkesa e tij është refuzuar nga Hasa, i cili i ka thënë që nuk kishte mbaruar lojën dhe do vazhdonte të qëndronte aty. Në këtë moment ka nisur debati mes tyre, ku janë shkëmbyer edhe fyerje dhe kërcënime. Më pas autori ka telefonuar vëllain e tij më të madh, i cili brenda pak minutash është futur në lokal. Dy vëllezërit fillimisht e kanë qëlluar me grushte 22-vjeçarin, më pas njëri prej tyre e ka goditur dy herë me biçak. Dy autorët janë shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që i plagosuri pas mjekimit ka lënë spitalin dhe është kthyer në shtëpi.
Masa për vrasjen tek “Ali Demi”
Gjykata e Tiranës vendosi lënien në burg dje të Erjon Dudës, i akuzuar si autori i ngjarjes së 14 qershorit në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, ku u plagosën tre persona, njëri prej të cilëve vdiq më pas. Duda u vetëdorëzuar në polici ditën e shtunë, ndërsa ishte shpallur disa ditë më parë në kërkim nga uniformat blu të kryeqytetit. Pasi është njohur me pretendimet e palëve dhe kërkesën e prokurorisë për “arrest me burg”, për të riun gjykata vendosi lënin e tij në këtë masë sigurie deri në përfundim të hetimeve. Ngjarja për të cilën akuzohet 28-vjeçari Duda u regjistrua mbrëmjen e 14 qershorit në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Pas një sherri për motive banale ai është konfrontuar fizikisht me Fatjon Çelën dhe dy vëllezërit Klodjan e Taulant Allmuça. Gjatë konfrontimit Duda ka nxjerrë një thikë që përmbushte kushtet e armës së ftohtë dhe ka qëlluar mbi tre personat, duke u shkaktuar atyre plagë. Pas dërgimit në spital, për shkak të plagëve të rënda, Çela ndërroi jetë. Tri ditë pas ngjarjes policia identifikoi Dudën si autor të dyshuar të saj dhe e shpalli atë në kërkim. Katër ditë më parë Duda u vetëdorëzua në policinë e kryeqytetit dhe pranoi përpara oficerëve të policisë autorësinë e krimit. e.d/a.b