“Çiftit nga Korça i mohohen sigurimet”
TIRANE – Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i kërkon “llogari” Ministrisë së Financave në lidhje me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shëndetësore nga personat e vetëpunësuar në bujqësi që kanë ndërruar vendbanim. Në një rekomandim të dërguar së fundmi, Dobjani kërkon njohjen e periudhës së sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi deri në vitin 2004 si dhe kthimin e shumës së derdhur të kontributeve si të vetëpunësuar në bujqësi pas vitit 2004 për personat që kanë ndërruar vendbanimin e tyre. Zanafilla e rekomandimit ka qenë një ankesë në zyrat e AP-së, nga një çift të moshuarish, të cilëve Instituti i Sigurimeve Shëndetësore nuk u njihte sigurimet e një periudhe 7-vjeçare, edhe pse ata i kishin paguar. Ata kishin qenë banorë të komunës Vreshtas, Korçë, deri në vitin 1997, ku edhe derdhnin kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi. Ndërsa pas vitit ‘97, edhe pse kanë ndryshuar vendbanim drejt Tiranës, ata kanë vazhduar të derdhin kontribute në Korçë deri në vitin 2004. Në këtë vit, teksa kanë kërkuar përfitimin e pensionit të pleqërisë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, u është thënë se kontributet e derdhura për periudhën ‘97-‘04 nuk i njihen si vjetërsi në punë, sepse në vitin ‘97 kanë ndryshuar vendbanimin e tyre. Pas kontaktimit me ISSH-në, Dobjanit i është thënë se pas disa shkresave të ISSH-së, ku thuhej se sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi vlente deri në momentin e disponimit të tokës, një VKM i vitit 2004 e ka sanksionuar atë në ligj. Sipas Dobjanit, deri në 2004, kohë kur ka dalë akti i ri, nga ana e ISSH-së duhet të merrej në konsideratë periudha për të cilën është paguar kontributi. Në përfundim Dobjani rekomandon njohjen e periudhës së sigurimit si i vetëpunësuar në bujqësi deri në vitin 2004, si edhe kthimin e shumës së derdhur nga kjo kategori, që ka ndryshuar vendbanim, pas vitit 2004. ar.ba