E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i kryer

Barcelona u rikthye nga disavantazhi për të mposhtur Estudiantesin 2-1 në lojën shtesë të shtunën në finalen e Kampionatit Botëror të Klubeve, ku futbollisti më i mirë i vitit në Evropë, Lionel Messi shënoi me gjoks 10 minuta para fundit.

Njësoj si në takimin gjysmëfinal kundër Atlantes të mërkurën, Barcelona u desh të rikuperojë disavantazhin prej një goli, por në asnjë moment nuk humbën besimin në triumf.

Mauro Boselli shënoi në minutën e 37-të, duke kaluar ekipin argjentinas në epërsi të papritur, por super-zëvendësuesi Pedro (minuta 89) dhe më pas Messi (minuta 110) – i cili është favorit për të fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në botë nga FIFA të hënën – ktheu rezultatin në favor të Barcelonës.

Triumfi kurorëzon një vit të jashtëzakonshëm për gjigantin katalan, periudha më e mirë në historinë e tyre 110 vjeçare. Ekipi i Pep Guardiolas ka fituar të gjithë gjashtë titujt për të cilët ka garuar, rekord në botën e futbollit.

Ky është titulli i tyre i parë në Kampionatin Botëror të Klubeve. Më 2006 ata u mposhtën në finale nga Internacional, ndërsa më 1992 nga ekipi tjetër brazilian, Sao Paulo. Estudiantes e ka fituar titullin më 1968 me ekipin e famshëm të Osvaldo Zubeldias, por më pas janë mposhtur në finalet e edicionit 1969 dhe 1970.

Lionel Messi u zgjodh futbollisti më i mirë i ndeshjes finale, ndërsa mesfushori veteran i Estudiantes, Juan Sebastian Veron ishte i dyti dhe Xavi i treti.

Pohang Steelers, i treti
Kampioni i Azisë, Pohang Steelers përfundoi në pozitën e tretë në Kampionatin Botëror të Klubeve, pas fitores ndaj ekipit meksikan Atlante 4-3 pas penalltive të shtunën.

Pas barazimit 1-1 për 90 minuta, Kim Hyun-gil siguroi fitoren për jug-koreanët pasi Atlante nuk shënoi dy penallti, kur goditja e Rafael Marquez u prit, ndërsa Horacio Peralta e qëlloi shtyllën në praninë e 17.800 tifozëve në stadiumin Zayed Sports City.

Steelers kishte kaluar në epërsi tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Denilson shënoi golin e tij të katërt gjatë garës. Por, kampioni i CONCACAF-it barazoi një minutë pas fillimit të pjesës së dytë nëpërmjet Marquezit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›