E Diel, 1 Nëntor 2026

E treta radhazi për Çelsin, 4-0 ndaj Atletiko Madridit

Serinë e goleadës angleze e hapi Salomon Kalu katër minuta para fundit të 45 minutëshit të parë. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë shtyu topin në portën e spanjollëve, kur u gjend përballë portierit, pas pasimit të marrë nga Eshli Kol nga krahu i majtë.

Edhe në pjesën e dyë janë vendasit që kontrollojnë plotësisht lojën, duke shënuar edhe tre herë të tjera. Është përsëri Kalu që në minutën e shtatë pas rifillimit të lojës shënon golin e dytë personal në mbrëmjen e djeshme. Afrikani dërgoi topin në rrjetën e portierit Serxho Asenjo, me një gjuajtje me kokë pas krosimit nga një goditje këndi.

Frenk Lampard trefishon shifrat në minutën e 69-të, duke e bërë gjithçka më të vështir për spanjollët. Mesfushori i përfaqësueses angleze mposhti për të tretën herë “gardianin” e portës mike, me një gjuajtje rrafsh me tokën, duke e dërguar topin në cepin e djathtë të katërkëndëshit të Asenjos.

Për ta bërë edhe më dramatike gjendjen për Atletikon mendon mbrojtësi Perea, që shënon në portën e vet në minutën e fundit të kohës së rregullt. Përfundon 4-0 dhe blutë e Londrës hedhin një hap të sigurt drejt vendit të parë në grupin D. Kurse Atletiko Madridi rrezikon edhe vendin e tretë, pasi gjendet në të njëjtën kuotë pikësh me Apoel Nikozian, që humbën në fushën e Portos me rezultatin 2-1.

Edhe pse kaluan të parët në epërsi, ishullorët nuk arritën të dalin me pikë nga “Dragao”. Pereira shënoi në portën e tij në minutën e 22-të, duke u dhënë avantazhin e përkohshëm miqve. Avantazh që zgjati vetëm 11 minuta, pasi sulmuesi brazilian Hulk përmbysi gjithçka në minutat 33 dhe 48.

Çelsi 4 – 0 Atletiko Madrid (Kalu 41’, 52’, Lampard 69’, Perea 90’ (a.g)

Çelsi: P. Cech; Belletti, Ivanovic, Terry, A. Cole (Malouda 75’); Ballack, Essien, Lampard, Deco; Kalou (Zhirkov 73’), Anelka (Sturridge 78’). Trajner: K. Ançeloti

Atletiko Madrid: Sergio Asenjo; Ujfalusi, Perea, A.Dominguez, A.Lopez; C.Santana, P.Assuncao, R.Garcia, Simao; Forlan, Aguero. Trajner: A. Resino

Gjyqtar: F. Meyer (Gjermani)

Kartonë të verdhë: Belletti / A.Dominguez, R.Garcia

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›