E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e dënimeve me vdekje në kohën e Ahmet Zogut

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (9)

Vijon nga numri i kaluar

Një ditë kur isha drejtor i zyrës së shtypit, ndërsa i bëj raportin tim ditor, më bën shenjë që të ndaloj dhe merr në telefon

një prefekt, të cilin një gazetë e të ashtuquajturve demokratë, pothuajse e kishte nxjerrë para trekëmbëshit. Në fund të

qortimit i thotë:

"Dëgjo këtu, lexojeni këtë gazetë dhe pastaj më sillni justifikimet tuaja. Ndërkaq, fute mirë në tru, nëse keni sadopak, se

funksionari i shtetit nuk duhet të vendoset kurrë në kushtet që të akuzohet, qoftë edhe padrejtësisht!"

Nuk e di se si u përgjigj prefekti, por shoh se Zogu rrudhi ballin dhe shpërtheu:

"Jeni një budalla i vërtetë. Nëse do të ishit këtu, do të të trajtoja si një gomar!"

Pastaj buzëqesh, heq linjën dhe më shpjegon:

"E di, më ka thënë se beson vërtet atë që i thashë dhe falenderon Zotin që jemi larg në këtë moment. Ai nuk është ndër të

këqinjtë. Ka një familje me shumë frymë! Për një gomarllëk të bërë, para dy muajsh ia kam kërcitur një shpullë së prapthi.

Mendoj se është më mirë kjo, sesa ta fusësh në dëshpërim e fukarallëk një familje të tërë, duke e hequr nga posti i

prefektit. Ja përse beson vërtet në ndëshkimin tim fizik!"

Ishte hera e parë që dëgjoja të shprehej në këtë mënyrë kaq të fortë, të cilën nuk pata rast ta dëgjoj tjetër herë.

Ai nuk përdor fjalë të ashpra e të rënda, pavarësisht nëse është i irrituar, ai ruan një mënyrë të shprehuri jashtëzakonisht

të qetë e të matur, edhe pse mund të jetë mjaft dërrmues.

Meqenëse ra fjala për zemrën e Zogut: liliputë të ndryshëm politikë janë përpjekur shumë e shumë herë ta portretizojnë

Udhëheqësin e Shqiptarëve si një njeri mizor, dhe që s'e njeh mëshirën.

Këtu kemi të bëjmë me një padrejtësi të madhe, që ka ardhur si rezultat i mungesës së njohjes, por edhe prej inatit partiak e

politik.

Ka shumë fakte, të gjithë të dokumentuara, të cilat provojnë se Zogu I-rë ka qenë gjithmonë shpirtgjerë, i mëshirshëm,

ndoshta pak si tepër i prirur drejt faljes e harresës kur dëmi i shkaktuar ndaj tij nuk i sillte probleme shtetit, ose nëse

dëmi mund të riparohej ose ishte riparuar.

Shumë vetë e dinë fare mirë se masat drastike i kanë shkaktuar dhimbje shpirtërore dhe mund të kujtojnë se ka folur gjithmonë

me një ton prekës e mallëngjyes për fatkëqinjtë që, të vënë kundra interesave të kombit, janë goditur pashmangshmërisht nga

qeveria e tij.

Ai mallëngjehet në një mënyrë të veçantë, krejt të vetën: ul sytë, merr një pamje të mendueshme dhe i lëshohet balli i gjerë.

Një herë vetëm kam parë sytë e tij të përlotur: kur i erdhi lajmi i trishtueshëm se Majori Preng Jaku, mirditori heroik, që

kishte për Zogun një dashuri vëllazërore, kishte vdekur pas një incidenti duke gjuajtur peshk, për shkak se i kishte

shpërthyer në dorë një bombë.

Dhe mendoj se nuk gaboj po të them se ka qarë me dhimbje të madhe, siç qajmë të gjithë, kur i vdiq e ëma, Nëna e Madhe e

Shqiptarëve. U mbyll në zyrën e tij të punës, sepse në popullin shqiptar veçanërisht ndërmjet malësorëve është një zakon i

lashtë që thotë se "burri nuk qan, sepse e qara është vetëm për gratë dhe fëmijët."

Meqenëse po trajtoj këtë argument, pra emocionet e shprehjet shpirtërore të Zogut, është detyrim i imi të kujtoj se as edhe

një herë nuk më ka kthyer mbrapsht kur kam ndërhyrë për nevojtarë që kërkonin mëshirë ose ndihmë, ose që kërkonin mëshirë

prej tij, gjithmonë pa i shkaktuar dëm shtetit. Nuk duhet të harroj nga ana tjetër se kur isha Sekretari i Përgjithshëm i

tij, dhe i paraqisja dekretet për firmë për ekzekutimin e ndonjë vendimi me vdekje, nuk firmoste asnjëherë përpara se të

bindej që unë kisha kontrolluar me imtësi të gjitha aktet dhe të isha në gjendje të bëjë një paraqitje të detajuar të fakteve

që e kishin detyruar gjykatën të jepte dënimin kapital.

Rreth botës së tij të ideve mbi këtë argument, mendoj se historiani i ardhshëm mund të orientohet mjaft mirë edhe duke

ndjekur këtë episod për të cilin jam vetë dëshmitar.

Një ditë, ndërsa ai hyn në kryeministri, një djalë simpatik dhe inteligjent, i hidhet te këmbët, e bllokon dhe me gjoksin që

i dridhej, i kërkon falje për babain e dënuar me varje.

Zogu preket përballë dhimbjes së atij fatkeqi, e ngre nga toka dhe i premton se do të interesohet për të dënuarin, duke

pranuar të shqyrtojë edhe njëherë kërkesën për falje që po ia bënte ai djalë që po i lutej duke qarë.

Kryeministri i ri, i vendosur për të ndërhyrë pranë Këshillit të Regjencës që duhej të firmoste vendimin me vdekje, kërkon

aktet gjyqësore, të cilat i lexon faqe për faqe.

Dëgjon me durim për vrasjet, për vjedhjet, për kusaritë. Herë herë shpërthen: "Keq, shumë keq! Por megjithatë kaloje! Për

këtë vrasje të kryer për gjakmarrje, mund të mjaftojë edhe burgu i përjetshëm; për një vjedhje nuk mund të dënosh tjetrin me

vdekje. Për këtë kusarinë tjetër them se qëllimi ka qenë për t'u hakmarrë dhe le ta vëmë në radhën e vrasjeve...". Por në një

moment, Sekretari lexon provat për një përdhunim të kryer nga një i dënuar kundër një fshatareje... Atëherë shpirti krenar i

kavalierit rebelohet. "Mjaft!" urdhëron sekretarin. "Gjithçka do t'ia kisha dhënë, do të isha i gatshëm t'ia falja jetën. Por

nuk mund të fal një krim kundër një vajze të gjorë, edhe pse ajo ka qenë vajza e një hasmi të tij... Burrat luftojnë me burra

dhe nuk çnderojnë femrat! Kemi të bëjmë me një kriminel të lindur!..."

Ditën tjetër - meqenëse ai nuk ndërhyri - Regjenca firmosi dekretin e ekzekutimit me vdekje.

Mua që po shkruaj, disa vjet më vonë më ndodhi që të bëj një apollogji, - para Gjykatës së krimeve kundër atij djali, të

rritur tashmë, - e cila ishte e dokumentuar dhe e pamëshirshme, për të mbrojtur një burrë të ndershëm të një familjeje, mbi

të cilin, djali i atij përdhunuesit, kishte hedhur akuzën se gjoja kishte vrarë një fshatar tjetër!

Në atë kohë më erdhi në mendje fraza intuitive: "Kemi të bëjmë me një kriminel të lindur!"

***

Politika e brendshme e Zogut, nëse studiohet nëpërmjet inisiativave të marra dhe veprave të kryera - duket se ka synuar

gjithmonë në harmonizimin e jetë shtetërore. Kështuqë, ndërsa luftonte analfabetizmin, nuk linte pa mbështetje bujqësinë;

duke u dhënë nxitje punëve publike, ka pasur si qëllim kryesor të garantonte sigurimin e mjeteve të komunikimit të hapur për

trafikun.

Rezultatet, nëse ai do të kishte gjithmonë në dispozicion bashkëpunëtorë të aftë dhe të papërtueshëm si veten, do të kishin

qenë pa dyshim më të mëdha, por megjithatë edhe ajo çka u arrit është me vlerë.

Numri i analfabetëve është zvogëluar së tepërmi, aq sa xhandarët, të cilët më 1920 visheshin pothuajse të gjithë nga radhët e

analfabetëve, tashti, më 1936 - nuk mund të vishen, nëse nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë dhe nëse nuk kryejnë një kurs

instruktimi të posaçëm, përpara se të marrin shërbimin efektiv.

Bujqësia ka bërë hapa të mëdhenj përpara, dhe veçanërisht në fushën e frutikulturës.

Në fushën e punëve publike, përsa kohë nuk vendoste vizioni i qartë, konkret, sintetik dhe realizues i Zogut, ishim në një

gjendje të dhimbshme, sepse nuk kishim më shumë se disa qindra kilometra rrugë të këqija dhe lumenjtë kaloheshin, kur ishte e

mundshme, me tragete të pasigurt, që jepnin një shfaqje të trishtueshme të varfërisë dhe të nënshtrimit ndaj kapriçove të

ujit. Por sot, të armatosur me një vullnet të mirë për të marshuar gjithmonë përpara, nën udhëheqjen e Mbretit tonë, në një

periudhë relativisht të shkurtër, - të ndihmuar edhe nga mbështetja teknike dhe financiare e Italisë, që Zogu diti ta mbajë

si aleate dhe mike të madhe, që na ka dhënë borxhe financiare dhe teknikë e mjeshtra të sprovuar, - arritëm të realizojmë një

program të gjerë për lidhjet rrugore.

Rrjeti rrugor më 1936 përmblidhte 2200 km rrugë nacionale dhe krahinore si dhe 456 rrugë dytësore fshatrash, kundrejt disa

qindra kilometrash rrugë që kishin ekzistuar deri atëherë. Dhe po bëhet gjithçka që të lidhen me sistemin rrugor të gjitha

zonat e thella.

U ndërtuan rreth 80 ura të mëdha mbi lumenj të rrëmbyeshëm, në një gjatësi të përgjithshme rreth 2 km, dhe 4000 ura të vogla

që kapin rreth 10 km poashtu edhe vepra të shumëllojshme për bonifikimin, lidhjen e mbrojtjen. Ndërmjet urave të mëdha

figurojnë disa vepra origjinale dhe imponuese që e nderojnë teknikën. Mjafton të citojmë, me këtë rast, Urën e Dragotit që

kapërcen Vjosën dhe që është me një hark të vetëm (luçe) prej 108 metrash.

Është përfunduar edhe porti i Durrësit që duhet të modernizohet e rregullohet, sipas marrëveshjeve të bëra me Italinë në mars

të këtij viti (1936 - shën. i përkth.N.K.).

Njëkohësisht janë ngritur godina të shumta për t'u dhënë zyrave shtetërore një pamje dinjitoze dhe të përshtatshme, pra të

tilla si pallatet ministeriale dhe ndërtesa të tjera shtetërore si spitale, kazerma, shkolla e të tjera.

Në saje të punës së NMT Zog I, Shqipëria po transformohet përditë, duke ecur me hap të shpejtë drejt qytetërimit e progresit.

Ai ka ditur të mobilizojë një komb për këtë qëllim, sepse gjithmonë ka thënë, shpallur e mbrojtur më fakte se - e drejta për

të qenë i lirë dhe i pavarur, nuk mund të jetojë nëse shkëputet nga detyrimet dhe nevojat e jetës së përditshme.

Dhe pikërisht për këtë ai i ka dhënë vendit një legjislacion të ri.

Ka anulluar Kodin e vjetër Civil Otoman, duke e zëvendësuar me një të ri, i cili, edhepse mban parasysh kushtet e veçanta

sociale të popullit tonë, është ndër më modernët kode në Europë. Ka arkivuar Kodin Penal të trashëguar nga Turkia, monstruoz

edhe shkencërisht për kohët e sotme, dhe ka nxjerrë një kod të ri, i cili inspirohet pothuajse totalisht nga Kodi Penal i

anulluar së fundmi në Itali, por mjaft i përshtatshëm për Shqipërinë. Njëlloj i është dhënë vendit edhe një Kod Tregtar krejt

modern dhe një Kod i Procedurës Civile. Me urdhër të tij janë në fazën e studimit inovacione të tjera të rëndësishme

legjislative.

Si konsekuencë kryesore e një rinovimi të tillë madhështor juridik, është, ndërmjet të tjerash, - ndalimi i poligamisë, e

cila ishte mjaft e përhapur në qytete, duke prishur karakterin kombëtar të shqiptarëve që janë kundër këtij zakoni të sjellë

nga Azia; dhe zhdukja graduale dhe e plotë e Ligjit të Gjakmarrjes, tashmë e harruar pothuasje plotësisht nëpër qytete, dhe

sot e kësaj dite zbatohet rrallë nëpër fshatra.

Përgjithësisht, kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë, të madh, të kryer relativisht në kohë shumë të shkurtër dhe me

fare pak njerëz të aftë për këtë mision të jashtëzakonshëm e të vështirë.

XII.

Politika e jashtme

Zogu I, në çështje të politikës së jashtme, duket sikur u ka lënë fushë të hapur personave jo të paanshëm, të mund të

predikojnë përshtypjen e një farë pavendosmërie.

Nëse një përshtypje e tillë artificiale do të formonte linjat e një gjykimi, atëherë do të binim në një gabim e padrejtësi të

madhe.

Mbreti i shqiptarëve ka qenë gjithmonë, në çdo kohë, një nacionalist i patundur ndaj çdo joshjeje. Nga 1912 - kur sapo u fut

në arenën e jetës politike dhe ushtarake - ai ka pasur një ideal të vetëm: lirinë dhe pavarësinë e kombit tonë, marrëdhënie

të mira me të gjithë popujt dhe një orientim më të shquar e thelbësor marrëveshjesh kundrejt Italisë, sepse me Italinë na

lidhin tradita shekullore të simpatisë e të miqësisë si dhe arsye të karakterit etnik dhe ekonomik të cilat e bëjnë

Adriatikun një mjet komunkimi të shumëllojshëm e jo një humnerë ndarjeje.

Përpara ardhjes në fuqi të Fashizmit politika italiane kundrejt Shqipërisë më bënte të shkruaja në janar të 1920-ës në

libërthin tim "Italia dhe Shqipëria" frazat e mëposhtme:

"Nëse do të kishte ndonjë që do të tentonte të kundërshtonte me faktin se Italia është tepër e madhe për të pasur aq shumë

interesa ndaj Shqipërisë së vogël - unë mund t'i përgjigjem: parasëgjithash Italia nuk mund e nuk duhet të bëhet mbartësja e

mentalitetit të ish-tiranëve të saj; ajo nuk mund e nuk duhet të qëndrojë e pandjeshme përballë martirizimit të një populli,

vuajtjet e të cilit dhe veprat heroike të tij kanë prekur në shumë mënyra njerëzit dhe kanë nderuar në shumë forma racën

njerëzore; duhet gjithashtu t'i bëjë të ditur botës Vendin që ka përhapur mbi njerëzinë dy qytetërime, që altruizmi i të

cilit - i materializuar me fakte e jo me sentimentalizma interesaxhinjsh apo xhambazësh - është një produkt i shkencës dhe i

ndërgjegjes, i forcës dhe i virtuteve. Dhe, nëse Italia - mbretëreshë që e kanë zili për qytetërimin e saj të ndritshëm i

cili përçohet larg e afër, përmes gjenisë së saj të marinës, të industrisë, të tregtisë dhe prej ushtrisë së palodhshme të

punëtorëve - heq dorë nga misioni i saj, nga liria, dhe zëvendëson tiraninë, duke nxitur e ngritur zakone të këqija që

pikërisht ajo i ka shkatërruar për shkak të parimit të nacionalitetit - baza e ekzistencës së saj - dhe u jep udhë vdekjeve,

në vend se paqes, dashurisë ose punës, i jep krahë luftës dhe të gjitha tmerreve të saj, gjithë lotëve e vuajtjeve të saj."

Dhe kujtoja se Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke vdekur, më 17 janar 1467, i thonte birit të tij të pafat Gjon: "Djali im! Unë

po vdes i qetë, sepse Senati i Venecias pranon të marrë rolin e një mbrojtësi dhe do të mbrojë provincat tua nga vërshimet e

otomanëve!"

Këtë shkruaja unë që isha rritur e shkolluar me kulturën italiane. Por çfarë të themi për ata që të rritur në ambiente

antitetikë (të ndryshëm) me mentalitetin latin ose të përshtatur me zakonin e dyshimit ndaj të gjithëve e gjithçkaje, ishin

shtyrë drejt sëmundjes së mosbesimit për shkak të intrigave infernale që nga Lindja e largët përfundonin përtej Atlantikut?

Zogu I qëndroi mbi këto makthe që i shihte me neveri. Ai imponoi, siç kam thënë, një normë jetësore të pathyeshme si çeliku:

liri, pavarësi e zhvillim të vendit tonë, rikapjen e shekujve të humbur nën dominimin e huaj, në një agoni që kapet me mend e

ndihet, por nuk mund të shprehet.

Ai ndoqi ngjarjet me gjak të ftohtë, indiferent ndaj triumfeve dhe humbjeve të miqve e armiqve; i akullt përballë shpifjeve

më të poshtra; i vendosur, i patundur, granitik (si shkëmb) për idealin e tij; i heshtur, i padepërtueshëm.

Di që një ndër burrështetasit e klasit të parë të Ballkanit - Pashiqi - është shprehur për të: "Ajo që nuk kanë arritur ta

bëjnë personalitete të Fuqive të mëdha, e ka bërë ky djalë mustaqepadirsur! Kam besuar se po e fusja në kurth, por ai nuk ra

në të dhe më ka krijuar idenë se kishte rënë brenda, me qëllim që të tallej me mua! Dhe ia ka arritur në mënyrë brilante! Ai

s'është gjë tjetër veçse një shqiptar, një nacionalist shqiptar i pamposhtur! Mos u gënjeni kot!"

Vijon numrin e ardhshëm

Përktheu: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›